Qeveria, 15 milionë euro në vit për bileta avioni

Kryetari i Partisë Demokratike, Basha i është përgjigjur me shifrat marramendëse të shpenzuara për luksin pushtetar deklaratave të Ramës dje me qytetarët në Facebook, sipas të cilit vendi ka nevojë për investime, por në buxhetin e shtetit nuk ka para.
Basha ka reaguar ndaj një shpjegimi që ka dhënë Kryeministri Edi Rama në rrjetet sociale në komunikimin me disa ndjekës, për mungesën e investimeve në ujësjellësa. Rama tha se investimet mungonin për shkak se nuk ka para. Por Basha thotë se paratë mungojnë për shkak se vidhen përmes korrupsionit dhe shpërdorohen.
Në reagimin e tij, Basha sjell me shifra konkrete shpenzimet e shfrenuara të Ramës dhe oborrit të tij për udhëtime dhe afera të tjera klienteliste. 80 milionë dollarë për mobilim zyrash e blerje makinash. 15 milionë dollarë për bileta avionësh. 320 milionë euro për koncesionet hajdutërore të Ramës e Beqajt në shëndetësi. Para për udhëtime me charter, për syze 70 mijë euro e për hotelet më luksoze të botës, por jo para dhe vende pune për qytetarët thekson Basha në reagimin e tij.
“Edi Rama ka pranuar publikisht faturën e korrupsionit të tij, që rëndon drejtpërdrejt tek qytetarët.
Rama thotë se nuk bëjmë dot ujësjellës e rrugë sepse nuk ka para.
Sepse 1 miliard euro vidhen e shpërdorohen çdo vit në tatime, dogana, tendera dhe koncesione hajdutërie. Janë para të shqiptarëve, të djersës së tyre, të taksave që paguajnë, por që plaçkiten nga qeveritarët e nuk kthehen në të mira për qytetarët.
S’ka para, thotë Rama, për ujësjellës e rrugë. Nuk ka para për ilaçe, për ndihmë ekonomike, për rritje pensionesh e rrogash. Nuk ka si të ketë, kjo është fatura e korrupsionit.
S’ka si të ketë lekë për qytetarët, thesi zbrazet për rehatinë e Ramës e hajdutëve të tij.
Por ka 80 milionë dollarë për mobilim zyrash e blerje makinash.
Ka 15 milionë dollarë për bileta avionësh.
Ka 320 milionë euro për koncesionet hajdutërore të Ramës e Beqajt në shëndetësi.
Ka miliona për oligarkinë e Carapulëve, Papulëve, Ismailajve e Nushëve, për kulla, palma, makina luksi dhe prapë kulla që i ndajnë me Ramët, Gjiknurët e Ahmetajt me shokë.
Ka para për udhëtime me charter, për syze 70 mijë euro e për hotelet më luksoze të botës” shkruan Basha.
Kreu i PD deklaron se ky është fundi i keqqeverisjes Rama ndërsa garanton se PD do të rikthejë investimet tek qytetarët.
“Ja pra, ky është fundi i një qeverisje të korruptuar në palcë, në çdo degë të saj, siç thotë raporti i Departamentit amerikan të Shtetit. Para, prona dhe luks sheikësh për Ramën me shokë, por për qytetarët s’ka ujë, s’ka asnjë investim të ri, s’ka asnjë vend të ri pune.
Partia Demokratike do t’i kthejë këto para tek qytetarët: me ulje taksash, investime publike që ju shërbejnë qytetarëve e jo oligarkëve, me subvencione në bujqësi, me hapjen e vendeve të reja të punës.
#‎Shqipëria më mirë pa Edi Ramën”, shprehet Basha në reagimin e tij.