Ballina Politikë Pagat e majme të OSHEE-së merren në mbrojtje nga zyrtarët e Ministrisë...

Pagat e majme të OSHEE-së merren në mbrojtje nga zyrtarët e Ministrisë së Energjetikës

Pas publikimit të “Boldnews” për pagat stratosferike të drejtuesve të OSHEE-së ka reaguar vetë kompania dhe zyrtarët e Ministrisë së Energjetikës. Në rrjetet sociale ministria përpiqet të sqarojë se drejtuesit e OSHEE i ka zënë halli pasi paga të tilla i kanë trashëguar nga qeverisja e PD-së. “Boldnews” ka bërë publik vendimin e fundit të Këshillit të Ministrave, i cili përcakton pagën e administratorit të OSHEE-së, Ardian Çela, me 3 milionë lekë në një kohë kur aksioni për energjinë ka çuar në litar dhe në vetëvrasje disa qytetarë, të cilët kishin debi prej dhjetëra mijëra lekësh të vjetër kundrejt kompanisë.
Korrupsioni dhe padrejtësitë e mëdha detyruan një qytetar shkodran vetëm disa ditë më parë të therte me thikë një punonjës të OSHEE-së. Viktimizimi ose mbrojtja me çdo kusht e pagave stratosferike, të pamerituara dhe të padrejta nuk bën gjë tjetër veçse e shton pakënaqësinë e qytetarëve ndaj kompanisë shtetërore të shitjes së energjisë elektrike. Janë me dhjetëra mesazhe që kanë mbërritur në “Boldnews” për rastet korruptive të punonjësve të OSHEE-së nga e gjithë Shqipëria, ndërkohë që në ditët në vazhdim ne do e njohim publikun me këto denoncime.
Janë të panumërt tenderat korruptivë të OSHEE-së gjatë muajve korrik-gusht duke kapur vlerat prej miliona eurosh. Të gjitha këto tendera i fiton oferta më e lartë dhe miq të administratorit të OSHEE-së, Ardian Çela apo ministrit Damian Gjiknuri. Ndërkohë OSHEE e shurdhët ndaj publikimeve të tenderave të saj korruptivë vë në veprim gjithë makinerinë e propagandës për të mbrojtur pagat e majme, të cilat paguhen me gjakun e shqiptarëve. Qeveria ka miratuar një skemë të re pagash për administratën e Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes OSHEE, e cila merr në konsideratë një rritje të ndjeshme të pagave për nivelet e ulëta të punonjësve. Me këtë skemë që tashmë është botuar në Fletoren Zyrtare, recepsionistët dhe faturistët marrin 70 mijë-80 mijë lekë në muaj.
Administratori merr paga mujore 300 mijë lekë në muaj, ndërsa drejtori i Divizionit 270 mijë lekë në muaj. Këto nivele janë më të larta se paga e Presidentit të Republikës prej 257 000, që është edhe paga më e lartë referencë në të gjitha institucionet publike në vend. Shefi i kabinetit paguhet me 200-250 mijë lekë në muaj, ndërsa drejtorët e drejtorive rajonale 15-200 mijë lekë në muaj. Por teksa shihet se paga e recepsionistëve, shoferëve dhe faturistëve janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ajo pjesë e administratës që janë motori i OSHEE si (ekletromekanik, saldator i linjave) do të kenë nivelin më të ulët të pagave që kapin intervalin nga 35-60 mijë lekë.
Në një raport dërguar Entit Rregullator të Energjisë, vetë OSHEE pohon se ristrukturimi i skemës organizative të shoqërisë, si dhe plani i masave në kuadrin e ndërhyrjes dhe të aksionit për uljen e humbjeve dhe rritjen e arkëtimeve janë shoqëruar me rritjen e numrit të punonjësve dhe rrjedhimisht edhe me rritjen e shpenzimeve të personelit. Struktura e re organizative në kuadër të aksionit të ndërmarrë dhe të ndryshimeve tranzitore ka planifikuar një rritje prej rreth 5% të personelit në vitin 2016.

Exit mobile version