Kush po i fsheh filmimet e drogës?

Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë në Parlament, deputeti i PD, Flamur Noka, i ka kërkuar ambasadorit italian në Tiranë informacion mbi të dhënat e monitorimit të sipërfaqeve të mbjella me drogë nga autoritetet italiane. Noka thotë se të dhënat tregojnë për një përhapje dramatike, por qeveria i fsheh ato.
“Nisur nga të dhënat dramatike të përhapjes së drogës, kultivimit e trafikimit të saj në gjithë territorin e vendit dhe sidomos nga informacionet se ky fenomen menaxhohet nga drejtuesit e Edi Ramës në Policinë e Shtetit, nënkryetari i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Flamur Noka, i ka dërguar një letër ambasadorit italian në Shqipëri, z. Cutillo, ku i kërkon që Komisioni i Sigurisë të vihet në dijeni të raportit të monitorimit nga ajri nga Guardia di Financa”, thuhet në njoftimin e PD.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë, Noka thekson se qeveria dhe Edi Rama kanë tendencën t’i fshehin rezultatet e monitorimit të terrenit nga ajri dhe është në interesin më të lartë publik dhe në interes të sigurisë kombëtare që Komisioni i Sigurisë të vihet në dijeni të imazheve e të dhënave të përftuara nga ky monitorim.
Nënkryetari i Komisionit të Sigurisë iu drejtua ambasadorit italian me një kërkesë më 19 prill të këtij viti, për të kryer sa më shpejt fotografimin dhe filmimin e parcelave me drogë nga ajri me anë të avionëve të Guardia di Financa-s, sipas marrëveshjes mes qeverisë italiane dhe qeverisë shqiptare të vitit 2011.

Letra e plotë
I nderuar Shkëlqesia Juaj Ambasador Cutillo,
Më lejoni edhe një herë t’ju shpreh mirënjohjen time për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vijueshëm që Italia i ka dhënë vendit tonë, e në veçanti Policisë së Shtetit dhe të shpreh vlerësimin për rolin tuaj në vijimin e këtij bashkëpunimi.
Krahas shqetësimit të thellë për rëndimin e situatës së rendit dhe sigurisë, siç dhe ju kemi vënë në dijeni nëpërmjet komunikimeve të mëparshme, vazhdojmë të ndjekim precipitimin dramatik të situatës së kultivimit dhe trafikimit të bimëve narkotike. Të dhënat e raportit të BE-së për drogat, përgatitur nga EUROPOL, në lidhje me situatën dramatike të kultivimit masiv dhe trafikimit të bimëve narkotike në vendin tonë, që rendisin Shqipërinë si vendin kryesor në kultivimin dhe trafikimin e cannabis sativa drejt vendeve të BE-së, kryesisht drejt Italisë, konfirmohen plotësisht nga informacionet tona nga terreni.
Investigimet mediatike kryesisht të ditëve të fundit, raportimet e qytetarëve dhe hulumtimet që PD ka bërë në terren, tregojnë qartë se  kultivimi i cannabis sativa tashmë ka mbuluar thuajse gjithë territorin e vendit tonë, duke pesëfishuar sipërfaqet në raport me një vit më parë. Të dhëna konkrete nga brenda radhëve të policisë konfirmojnë se ky aktivitet kriminal ka mbështetje nga segmente të larta të Policisë së Shtetit dhe nga drejtimi i lartë politik i Ministrisë së Brendshme. Në shumicën dërrmuese të rasteve parcelat ruhen nga individë të armatosur ose nga punonjës policie të besuar të drejtuesve të policisë.
Sikundër jemi në dijeni, në bazë të marrëveshjes nënshkruar mes dy vendeve tona në vitin 2011 për monitorimin nga ajri për identifikimin dhe asgjësimin e bimëve narkotike, avionët e Guardia di Financës kanë kryer monitorimin dhe fotografimin e terrenit. Në kushtet e lartpërmendura duke marrë në konsideratë edhe faktin që nga ana e Ministrisë së Brendshme dhe qeverisë ka përpjekje të dukshme për të fshehur informacionet e disponuara, ju kërkojmë ju që të na mundësoni këto të dhëna dhe imazhet e përftuara nga ky monitorim.

Raporti: 363 zonat ku mbillet droga

Një raport sekret i shërbimeve inteligjente italiane e gjermane identifikoi 363 zona ku mbillet kanabis në Shqipëri. Janë zona me qindra plantacione të kultivuara me bimën narkotike. Tani BE e konsideron sërish Shqipërinë si vendin kryesor të prodhimit të marijuanës.
Kultivimi i kanabisit ka prekur të gjithë territorin e vendit. Mbështetur në raportin e shërbimeve sekrete, gazeta sjell sot një hartë të plotë të kultivimit dhe emrat e bashkive dhe fshatrave ku mbillet bima narkotike.

Qarku Fier
Në tre vitet e fundit në Qarkun Fier kultivimi i bimës narkotike ka marrë prioritet në të pesë bashkitë që përfshin ky qark: Bashkia Fier, Bashkia Patos, Bashkia Rroskovec, Bashkia Lushnjë dhe Bashkia Mallakastër. Nëse i referohemi territorit të kultivimit vitin e kaluar pothuajse i gjithë territori ka qenë i kultivuar me këtë lloj bime, tendencë e cila gjatë këtij viti do të jetë në rritje. Konkretisht në Bashkinë e Fierit zonat më të prekura kanë qenë fshatrat: Libofshë, Gryk, Pishporo, Cave, Adë, Darëzezë, Kreshpan, Krapes, Vjosë, Gjorgos, Frakull dhe në qytetin e Fierit është kultivuar në serra.
Në Bashkinë Patos, zonat më të prekura janë fshatrat: Dukas, Kuqan dhe Patos-Fshat.
Në Bashkinë Rroskovec, zonat më të prekura janë fshatrat: Kurjan, Vloshë, Ngjegjan, Mbers, Arapaj, Suk, Strum, Velmisht dhe ka pasur raste të kultivimit në serra.
Në Bashkinë Lushnjë, dy vitet e fundit ka marrë prioritet kultivimi i bimës narkotike kanabis sativa, ku bie në sy kultivimi në serra sikurse edhe në fshatrat: Dushk i Madh, Hysgjokaj, Karbunarë, Grabjan, Krutje e Sipërme, Thanasaj, Zhamë, Thanaj, Toshkëz dhe Mazhaj.
Në Bashkinë Divjakë është kultivuar në pyllin e Divjakës, anës lumit Shkumbin dhe në fshatin Rremas.
Në Bashkinë Mallakastër është kultivuar në fshatrat: Kutë, Ninesh, Cerrile dhe Gjerbës.

Qarku Vlorë
Në Bashkinë Vlorë, fshatrave të Lumit të Vlorës, Llakatundit dhe Poros.
Në Bashkinë Sarandë, fshatrat me kultivim rezultojnë Borsh-Mali Borshit, Fterrë, Çorraj, Sasaj, Lukovë (pjesa malore), Grazhdan, Leshnicë, Navaricë, Theollogo dhe Dhivër.
Njësia Administrative Konispol, fshatrat Vorv, Ninat, Markat, Kodrat e Konispolit dhe Shalës.
Në Bashkinë Delvinë, fshati Kakodhiq, Lugina e Bistricës, Syri i Kaltër, fshati Dhrovjan, Krongji dhe Qafa e Muzinës. Pllaja e Mesovunit, Qafa e Skërvicës-zona e Luvadhit.
Njësia Administrative Vergo-fshatrat Tatzat, Kalas (lugina e lumit Kalas përfshi dhe fshatin Bajkaj), pjesa malore e fshatit Vergo, Kopaçez, Varfaj, mali Sopot.

Qarku Dibër
Në Bashkinë Peshkopi, zonat me më tepër tendencë për kultivimin e bimëve narkotike, në bazë të informacioneve janë: Zona e Lurës, territori i grykëderdhjes së “Drinit të Zi”, që fillon nga fshati Zalldardhë deri në Maqellare, në malin e Popinares (ish-Komuna Maqellarë) dhe fshati Luzni.
Në Bashkinë Bulqizë, zonat e kultivuara janë: Grykëderdhja e lumit të Okshtunit, fshati Smollik, fshati Temovë, krahina e Gollobordës, fshati Çerenec, Kodra e Danit në Fushë Bulqizë, krahina e Martaneshit.
Në Bashkinë Burrel-Klos, fshatrat e zonës mbi Klosin, krahina e Macukullit, fshati Gurrë, Mali i Balgjait, zonat kufitare me Malësinë e Krujës.

Qarku Lezhë
Në Bashkinë e Mirditës, pjesa më potenciale për kultivimin e kësaj bime narkotike është ish-Komuna e Kaçinarit, e cila kufizohet dhe me rrethet Lezhë dhe Pukë. Është një zonë që kryesisht kultivon rrushin dhe si e tillë ka burime ujore të mjaftueshme, por dhe më kryesorja se aty ka ndikim ish-kryetari i komunës së asaj zone që u lirua nga burgu me pretendimin që gërhiste natën (Petrit Bardhi). Po në këtë rreth ka informacion se po kultivohet hashash dhe në zonat e Selitës që kufizohet me rrethet e Dibrës (Lurë) dhe Burrelit. Gjithashtu mendohet që ka kultivim dhe në zonën e Fanit, pjesa që kufizohet me rrethin e Kukhit në të djathtë dhe të Pukës në të majtë, në afërsi të ish-burgut të Spaçit.
Në Bashkinë Kurbin, sipas informacioneve, zonat që janë mbjellë dhe po përgatiten për kultivimin e kanabis sativa janë fshatrat Marsheq, Selit, Skuraj.

Qarku Korçë
Në Bashkinë Korçë, fshatrat Dardhë, Vithkuq, Lekas, Mesmal, Moglicë, Dushar, Foq.
Në Bashkinë Pogradec zonat e kultivuara rezultojnë: Njësitë Administrative Dardhas, Velçan, Trebinjës, Hudënisht, Mokër, Guri i Kamjes.
Në Bashkinë Bilisht, fshatrat Bickë, Hoçisht, Koshnicë, Arëzë, Vidohovë.
Në Bashkinë Ersekë, fshatrat Gjonç, Shemtir, zona e Shelegurit.

Qarku Elbasan
Në Bashkinë Elbasan, zonat e kultivuara rezultojnë Gracen, Tregan, Fushë-Mbreti, Shmil.
Në Bashkinë Librazhd, fshatrat Çarrishtë, malet e Stërbles, Mokës, Dëshiran.
Në Bashkinë Prrenjas, fshatrat Rrajcë, Hotolisht, Drogostunja, Stëblevë.
Në Bashkinë Cërrik, fshatrat Gjylav, Sulov, Grekan, Shalës, Mollas.
Në Bashkinë Peqin, zonat e kultivuara rezultojnë Gjocaj, Pajolla, Përparimi.
Në Bashkinë Belsh, Kosovë, Gradishtë, Kajan.

Qarku Kukës
Në Bashkinë Kukës, fshatrat e kultivuar rezultojnë Borje, Ninç, Kalaja e Dodës, Surraj, Shikaj, Shëmëri.
Në Bashkinë Has, zonat e kultivuara janë: Vranisht, Zahrisht, Metaliaj, Vllahen, Kosturr, Bregu-Liqenit, Bregu-Krumës, Bjeshka e Krumës, Bjeshka Gjinaj.
Në Bashkinë Tropojë, zonat më të prekura me kultivim të bimëve narkotike janë: zona Lekbibaj, fshati Brotozhnicë, Lugina e lumit të Gashit, fshati Padesh, fshati Tpla/Degë. Tendencë e njëjtë është edhe për vitin 2016 në të gjithë këto zona. Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivim të bimëve narkotike. Personat që e kultivojnë janë me banim në Tropojë, Tiranë e Durrës dhe po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë prona të regjistruara. Tani për tani farat e kanabisit i kanë hedhur në gota plastike dhe i kanë vendosur në serra në mënyrë që pas rreth dy-tre javësh t’i mbjellin në gropat tashmë thuajse të hapura. Nga Komani deri në Fierzë në anën e Drinit, zonë e Tropojës, ka bashkëpunim me kultivuesit në anën tjetër të Drinit, zonë e Shkodrës dhe e Pukës.

Tiranë dhe Shkodër, trafikantët kërkojnë “toka të reja”
Në Bashkinë Tiranë zonat e kultivuara rezultojnë: Petrelë (fshati Hekalit), Kërrabë (fshatrat Farkë dhe Lundër), Mnere, Bovillë, Tapizë e Vogël, Shëngjergj, Zallbastar, Qafë Mollë, Herraj, Tujan. Zona Dajt ka filluar mbjellja në sipërfaqe të vogla, në zonën e Pezës me tendencë të madhe kultivimi. Në zonën Zall Dajt në fshatin Fag ku kultivimi rezulton të jetë masiv.
Njësia Administrative Shijak, Komuna Xhafzotaj (kryesisht në Shetel dhe nëpër serra brenda avllive).

Qarku Shkodër
Në Bashkinë Vau Dejës, zonat ku është kultivuar bima narkotike kanabis sativa janë: fshati Dush, vendin e quajtur Mashën dhe në afërsi të fshatit Ferth, në afërsi të përrenjve. Në fshatin Gomsiqe, 100 metra sipër rrugës kryesore një pyll me pisha. Në fshatin Karmë e Sipërme, në zonë të pyllëzuar jo shumë larg zonës së banuar. Në fshatin Koman sipër hidrocentralit në pyllin sipër tij. Në fshatin Lisen, në pyll në afërsi të liqenit Vau Dejës. Në fshatin Vjerdhë, në pyll në afërsi të liqenit Vau Dejës. Në ishullin e Shurdhahit në liqenin Vau Dejës. Në fshatrat Melgushë, Mnelë e Vogël dhe pothuajse në të gjitha lagjet Mnelë e Madhe, në zona të pyllëzuara dhe në disa lagje të fshatit Vig në zona të pyllëzuara. Në fshatin Shpor dhe Mazrek, në pyjet e fshatrave, zona të nxehta për kultivimin e bimëve narkotike. Në zonën Shllak, në vendet e quajtura pylli i Benës, sipër rrugës kryesore dhe poshtë rrugës kryesore në hyrje të fshatit Shllak Qendër dhe pylli Ukbibaj. Në zonën e Temalit në pyjet e fshatrave Kllogjen, Malagji, Telume, Kishë Arrë, Vilë dhe Toplanë, zona të nxehta për kultivimin e bimëve narkotike.
Në Bashkinë Shkodër, zona e Dukagjinit në pyjet e fshatrave Prekal, Sume, Kir, Pult, Shosh, Ndreaj, pothuajse gjithë fshatrat e bregut të lumit, zona të nxehta për kultivimin e bimëve narkotike. Në pyjet e fshatrave Kullaj, Ura e Shtrenjtë, Dragoq, Potribë.
Në fshatin Rragam, fshati Sheldi i Gurit të Zi, fshati Dajq i Bregut të Bunës, fshati Shirq, Velipojë, Qas, Bregu i Bunës, Melgushe, Stajkë.
Në Bashkinë Koplik (Malësia e Madhe) zonat ku është kultivuar bimë narkotike: Bjeshkët e Bogës, Qaf Thore, Bjeshkët e Dojcave, Bjeshkët e Kurrilave Dedaj, Bjeshkët e Repishtit, Bjeshkët e Rrjellit, në lagjen Culaj, fshati Bajzë, pylli i Kosanit, fshati Zagore, bjeshkët e fshatit Broje, bjeshkët e fshatit Vukël, bjeshkët e fshatit Nikq, bjeshkët e fshatit Selcë, bjeshkët e fshatit Vermosh, fshati Hot në afërsi me kufirin me Malin e Zi, bjeshkët e fshatit Kastrat, vendi i quajtur bjeshkët e Fushë-Zezë sipër zonës turistike të Razmës, në disa fshatra në bregun e liqenit të Shkodrës në zonën e Malësisë së Madhe.
Në Bashkinë Pukë, zonat më të prekura për kultivimin e bimëve narkotike gjatë vitit 2015 kanë qenë: Zona Korthpules, Vrrithit e Kaftallës, zona Kaçinari, Rras Kushnen, Mesul, Mushtë, Tuq, Kodër e Keqe, zona Karmes e Komanit, zona e Sapaqit, Brebulla, Mërturë, Berishë e Epër, zona e Qafës Tmugut, Fletit, Kurorë-Dardhës dhe Stanët e Mziut. Tendencë e njëjtë është edhe për vitin 2016 në të gjitha këto zona. Ka filluar puna për rekrutimin e punonjësve për të përgatitur tokën dhe infrastrukturën për kultivimin e bimëve narkotike. Personat janë me banim në Shkodër, Durrës e Tiranë dhe po kërkojnë toka në thellësi të pyjeve për të mos qenë me prona të regjistruara. Nga Komani deri në Fierzë në anën e Drinit, zonë e Pukës ka bashkëpunim me kultivuesit në anën tjetër të Drinit, zonë e Shkodrës. Ky informacion ka më shumë se dy burime.

Qarku Berat
Në Bashkinë Berat, kemi informacion se zonat që kanë tendencë për kultivimin e bimëve narkotike kanabis sativa, janë zona të thella, kodrinore dhe jo shumë të banuara. Konkretisht:
Njësia Administrative Terpan: zona e Ballovit, pjesa kodrinore e tij dhe luginat e përrenjve.
Njësia Administrative Thinjë: Fshati Velçan, zona Osmenzez.
Njësia Administrative Cukalat: Fshati Sinjë, zona e Allambzezit dhe në serrat e fshatit Cukalat.
Njësia Administrative Roshnik: fshatrat Dardhë, Qafë-Dardhë, Roshnik gjithashtu dhe në territorin e fshatit Kapinovë në pllajat e malit të Tomorrit.
Në Bashkinë Kuçovë, Njësia Administrative Lumas në pjesën kodrinore dhe luginat e përrenjve të fshatrave Luzaj dhe Sarafel.
Në Bashkinë Skrapar, zona të kultivuara rezultojnë fshatrat Turbohovë, Potom, Konak, Kakruk, Vendresh, Dobrush, Therepel, Bogovë, Novaj.

Qarku Gjirokastër
Në Bashkinë Tepelenë vitin e kaluar ka patur një kultivim masiv të bimës narkotike kanabis sativa në të gjithë territorin e këtij rrethi. Por dhe ky vit nuk bën përjashtim, madje është dyfishuar tendenca e kultivimit.
Zonat më të theksuar në kultivim janë: fshatrat Progonat (në malin e Këndervicës, konkretisht vendi i quajtur Hon dhe në fshatin Lekdush), Gusmar, Nivicë (në zonën e quajtur Llufa), Rexhin. E gjithë lugina e lumit Bënçë.
Njësia Administrative Lops (Dhemblan): në fshatin Dhemblan dhe në kodrat e fshatit Dorz, në fshatin Turan.
Njësia Administrative Buzë: Në kodrat e Selcës dhe fshatit Buz, si dhe në luginën e përroit Selc.
Njësia Administrative Luftinjë: Në fshatin Zhapokik, Arrëz, Curril, Luftinj. Njësia Administrative Qesarat: Në kodrat e Qesaratit, fshatit Shalës.
Njësia Administrative Krahës: Në fshatin Kalivaç, në kodrat e Krahësit një (1) dhe Krahësit dy (2).
Në fshatin Toç dhe luginën e Vjosës.
Në Bashkinë Kamëz, Qinam, Çerkez, Zall-Herr, si dhe pjesa e malit që kufizohet me rrethin e Krujës.
Në Bashkinë Vorë, zona Kuç.
Në Bashkinë e Kavajës, zonat e kultivuara janë, Helmës, Golem-fshat, Maskuri, Sineballaj, Rrogozhinë, Vilbashtovë dhe Lekaj.
Opozita ka akuzuar vazhdimisht ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe Kryeministrin Edi Rama si të implikuar në shtrirjen e kultivimit. Ajo ka denoncuar edhe disa drejtorë të policive në rrethe se kontrollojnë trafikun dhe përfitojnë shuma deri në 30% nga ky aktivitet kriminal.

Raporti sekret: 15.8% e territorit në duart e mafias

Sa më shumë detaje që zbardhen nga raporti i shërbimeve sekrete italiane dhe ato gjermane, për gjendjen e kultivimit të drogës kanabis sativa në vendin tonë, aq më shumë vërtetohet se e gjitha kjo që po ndodh në vendin tonë është e mirorganizuar dhe nën kujdestarinë e strukturave të rëndësishme të shtetit, posaçërisht policisë.
Situata është bërë aq shumë alarmante, saqë përveç shërbimeve inteligjente italiane dhe gjermane, në lojë janë futur edhe ato amerikane. Duket se tashmë është kuptuar, që i gjithë ky vërshim i kultivimit të drogës në Shqipëri është vepër e krimit të organizuar ndërkombëtar në bashkëpunim me atë shqiptar, të cilët duket se ka gjetur terrenin e duhur në Shqipëri, duke bashkëpunuar edhe me segmente të rëndësishme të shtetit.
Nga të dhënat që dalin nga raporti në fjalë, shfaqet një panoramë sikur vendi ynë është drejt një pushtimi të shpejtë nga trafikantët dhe krimi i organizuar. Gjatë këtij hetimi të hollësishëm, ka rezultuar që 15.83% e territorit të vendit, ose rreth 4.500 kilometra katrorë sipërfaqe, po shfrytëzohet për kultivimin dhe përpunimin e drogës. E gjithë kjo industri, kaq shumë e përhapur, nuk ka shans që të funksionojë spontanisht. Bëhet fjalë për dhjetëra milion bimë, për të cilat fillimisht duhet të sigurohet fara, pastaj hapja e tokave apo serrave, ujitja, plehërimi etj. E gjitha kjo kërkon një ushtri të tërë punëtorësh. Nga ana tjetër gjatë gjithë kohës, që nga mbjellja, plantacionet, veçanërisht tani në fazën e pjekjes së bimës, kërkojnë ruajtje. Pra, kemi edhe një ushtri tjetër, të armatosur dhe të mirorganizuar.
Sipas raportit në fjalë, mafia e drogës ndihet aq shumë e paprekshme dhe e garantuar, saqë këtë vit po e kultivojnë lëndën narkotike edhe në tunele, ambiente të mbyllura, magazina, serra, si dhe laboratorë nëpërmjet energjisë elektrike. Të gjitha këto fare pranë qendrave urbane.
Lulëzimi i këtij krimi të organizuar, ka thyer edhe një rekord për vendin tonë kohët e fundit. Sipas hetuesve italianë dhe gjermanë, biznesi kriminal i kanabisit që qarkullon miliarda euro, për herë të parë e ka thyer murin e 1 mijë tonëve në vit. Një raport i Guardia di Finanza-s, thotë se në Shqipëri në vitin 2015, kishte plot 1200 plantacione droge, kurse të dhënat për këtë vit janë, që kjo sipërfaqe të paktën është dyfishuar.
“Shqipëria vijon të mbetet një prej prodhueseve kryesore të kanabisit në Europë. Destinacionet kryesore të tregtimit të kësaj lënde narkotike janë Greqia, Italia, Holanda, Hungaria, Republika Çeke, si dhe Austria. Megjithatë, kanabisi shqiptar tregtohet si një sasi të konsiderueshme edhe në Francë e në Gjermani. Trafikantët më të mëdhenj të kanabisit shqiptar në Europë janë ata marokenë, të cilët garantojnë transportin, si dhe shitjen në tregjet e kontinentit të vjetër. Në shumicën e rasteve, këta trafikantë bashkëpunojnë direkt me prodhuesit shqiptarë. Në terma të përgjithshme, raporti gjykon se europianët shpenzojnë çdo vit 24 miliardë euro për drogëra të jashtëligjshme. Zyrtarët kanë gjykuar se kjo shifër është shqetësuese dhe se është mjaft e nevojshme të merren masa sa më shpejt për të paralizuar rrjetet e trafikut të lëndëve narkotike”, konstatojnë të alarmuar në kulm shërbimet inteligjente ndërkombëtare.
Të thuash që e gjithë kjo që po ndodh në 4.500 kilometra katrorë të Shqipërisë, edhe në periferi dhe brendësi të qendrave urbane, mobilizimi i ushtrive të tëra punëtorësh dhe njerëzish të armatosur, po ndodh pa dijeninë dhe mbrojtjen e policisë, nuk ka naiv që ta besojë. Por rreziku më i madh është se për çfarë do të investohen më pas miliardat e fituara pas këtij operacioni gjigant mafioz. Për të dyfishuar 4.500 kilometrat që aktualisht kanë në zotërim, për të blerë edhe ato struktura të policisë dhe shtetit që ende nuk i kanë, apo për të kapur komplet qeverisjen e vendit?