Usain Bolt: Mund të vrapoja më shpejt

Usain Bolt ka dhënë një deklaratë pas fitores në 100 metra në Lojërat Olimpike në Rio 2016, fitorja e tretë në tri olimpiadat e fundit, njeriu i vetëm në histori të atletikës që ka arritur të bëjë diçka të tillë.
“Jam vërtet i lumtur, por mendoj se do të vrapoja më shpejt. Por, jam shumë i lumtur që fitova dhe kjo ka rëndësi”, ka thënë Bolt për “BBC”. “Pas gjysmëfinales jam ndjerë jashtëzakonisht mirë. Doja të vrapoja më shpejt, por koha nuk ishte si zakonisht. Ne normalisht kemi dy orë pushim pas gjysmëfinales deri në finale, por sot kishim vetëm një orë e 20 minuta. Ishte sfiduese. Por, kjo është për çfarë ushtrojmë ne. Ju kam thënë, se do të fitoj. Rrini gati janë edhe dy gara të tjerë që duhet t’i fitoj”, ka thënë Bolt. Bold është befasuar edhe me fishkëllimat që iu bënë amerikanit Justin Gatlin, fitues i medaljes së argjendtë.
“Isha i befasuar, është hera e parë që vijë në stadium dhe tifozët e fishkëllejnë dikë, isha i shokuar”.
Fitoret e Bolt në 100 metra:
2008 Lojërat Olimpike, Pekin – 9.69 – rekord botëror
2009 Kampionati Botëror, Berlin – 9.58 – rekord botëror
2012 Lojërat Olimpike, Londër – 9.63 – rekord olimpik
2013 Kampionati Botëror, Moskë – 9.77
2015 Kampionati Botëror, Pekin  – 9.79
2016 Lojërat Olimpike, Rio – 9.81