Tifozët e Arsenalit i kërkojnë Xhakës të luajë për Kosovën

Tifozët kosovarë të Arsenalit kanë shkruar një letër publike drejtuar yllit të ri të klubit të tyre të zemrës, Granit Xhaka, duke kërkuar që ai t’i bashkohet përfaqësueses së Kosovës.
Pas ardhjes së Milot Rashicës dhe Alban Mehës, janë shtuar zërat se edhe yjet e përfaqësueseve të tjera evropiane do t’i bashkohen Kosovës.
Në letrën e publikuar për Xhakën, klubi i tifozëve kosovarë të Arsenalit ka kërkuar që Xhaka të “bëhet hero i gjallë i Kosovës” duke pranuar ftesën për të përfaqësuar Kosovën në futboll.

Kjo është letra e publikuar për Xhakën:
Një letër për Granit Xhakën

Në këto momente kur përfaqësuesja e Kosovës në futboll është duke u konsoliduar, në bazë të traditës së fansave të ekipeve në tërë botën, edhe fansat zyrtarë të Arsenalit në Kosovë dëshirojnë që të bëjnë një lutje për yllin tonë në skuadrën e Arsenalit, Granit Xhaka.
Futbolli kosovar ka kaluar në shumë sfida. 30 vite kemi jetuar të izoluar. E kemi mbajtur gjallë këtë sport në kushtet më të vështira atmosferike. Kemi ëndërruar që 30 vite të luajmë për shtetin tonë.
Nuk ja kemi dalë sepse kemi qenë të okupuar.
Ndërkohë ato gjenerata të vjetra janë larguar për jashtë vendit dhe fëmijët e tyre i kanë frymëzuar për t’u marrë me këtë sport. Është meritë e prindërve të tyre sepse ata kanë punuar që të nxjerrin talentin e tyre nga djemtë e tyre në futboll, sportin më të popullarizuar në botë.
Nëse nuk je talent nuk mundet të të zhvillojë as Zvicra dhe asnjë shtet në botë. Atë ua ka falur Zoti, e meritën më të madhe për këtë e kanë familja dhe askush tjetër.
Granitin e kemi pritur me zemër të madhe në Kosovë, si fansa të Arsenalit. E kemi përcjellë në çdo vend. E kemi ruajtur edhe nga mediat vetëm dhe vetëm që ai të ndihet i lirë në vendin e tij. Disa kemi, në mos të gjithë, kemi derdhur lot gëzimi kur është transferuar tek ne. Tani, ashtu sikurse u gëzuam pa masë kur hyri në fushë për të luajtur kundër Liverpool të shtunën, duam që të njëjtat emocione të na sjellësh edhe për përfaqësuesen tonë.
Nuk do të jemi vetëm ne krenar për ty, do të jenë të gjithë shqiptarët anembanë botës.
Granit, e ke shansin të jesh idol i krejt Kosovës, një hero i gjallë. Ndoshta nuk do të fitosh të mira materiale, sa me kombëtaren e Zvicrës, por ajo që do të fitosh do të jenë zemrat tona.
Granit, thuaj PO KOSOVËS.
Bëje krenar vendin dhe popullin tënd.
Me respekt kryesia e klubit të fansave zyrtarë të Arsenalit në Kosovë.