Borxhet, bashkitë kanë 175 milionë dollarë detyrime të papaguara

Pasi paguan gati 500 milionë dollarë borxhe të prapambetura të qeverisë gjatë dy viteve të fundit, taksapaguesit shqiptarë mund të përballen me një tjetër faturë të kripur, e cila këtë herë vjen nga pushteti vendor. Një audit i fundit i konsulentit financiar Grant Thornton në 12 bashki të vendit ka gjetur se mali i borxheve të prapambetura arrin në 21 miliardë lekë ose mbi 175 milionë dollarë. Kjo shifër është sa 1.5 për qind e Prodhimit Kombëtar të Shqipërisë. Por situata është edhe më e rënduar, pasi ky është borxh që u përket vetëm 12 bashkive, kur në total Shqipëria numëron 61 bashki. Burime nga Ministria e Pushtetit Vendor bëjnë të ditur se veç malit me borxhet e prapambetura raporti i auditimit ka konstatuar mangësi të mëdha në mënyrën se si vendorët regjistrojnë veprimet financiare, por edhe asetet publike që administrojnë. Qeveria shqiptare pati shlyer gati 500 milionë dollarë detyrime të prapambetura që ishin krijuar në nivel qendror. Shlyerja zgjati dy vjet dhe për të paguar faturën, qeveria mori mbi 1 miliard dollarë borxhe nga Fondi Monetar dhe Banka Botërore. Por fatura e rëndë e borxheve të prapambetura të buxhetit qendror duket se paska qenë vetëm një pjesë e detyrimeve totale që ka krijuar ndër vite sektori publik dhe taksapaguesit shqiptarë mund të thirren sërish të paguajnë qindra milionë dollarë për borxhe që nuk e kanë ditur se ekzistojnë. Grant Thornton u pajtua nga qeveria shqiptare për të audituar financat e vendorëve në muajin shtator të vitit të kaluar. Synimi ishte që pas hyrjes në fuqi të ndarjes së re administrative vendi të kishte një panoramë të qartë të borxheve, inventarit të aseteve dhe vlerën tregtare të pasurive publike që menaxhohen nga pushteti vendor. Por tashmë që kanë dalë përfundimet për 12 bashkitë e para, duket  se pushteti vendor është i zhytur në borxhe të papaguara, të cilat do të bien sërish mbi kurrizin e taksapaguesve.