Taksa e urrejtjes

Bledi KASMI

Disa po thonë se taksa e re që i vendoset qytetarëve për të kaluar në rrugën e “Kombit” nuk është e drejtë për shkak se ajo është mjaft e lartë. Disa të tjerë po thonë se pas kësaj takse fshihet një aferë e pastër korruptive dhe se Rama do të jetë ortak me 50% me kompaninë turke, e cila do të menaxhojë këtë koncesion që parashikohet t’i kushtojë qytetarëve edhe 600 milionë euro të tjerë në 30 vite.
Përtej këtyre dy grupimeve, një grup i tretë kritikësh thonë se kjo taksë do të izolojë një pjesë të mirë të Veriut të vendit. Të tre këto grupime kritikësh mund të kenë të drejtë, po ajo që duhet ngulitur mirë në mendje është fakti se nuk kemi të bëjmë thjeshtë dhe vetëm me një taksë kalimtare të një qeverie. Ky është një vendim urrejtjeje i kreut të qeverisë. Dhe pasi të kemi pranuar këtë, atëherë mund t’i vendosim edhe emrin, taksa e urrejtjes. Ka të paktën tre motive që e nxisin Ramën të vendosë këtë taksë urrejtje të pastër.
Motivi i parë ka të bëjë me izolimin e asaj pjese të popullsisë të Veriut të vendit që Rama me urrejtje të hapur publike i ka etiketuar si çeçenë. Vetëm disa vite më parë, kur ishte në krye të Bashkisë së Tiranës ai deklaronte se do të vendoste kufizime për hyrjet në Tiranë të atyre që vinin nga zonat e largëta, duke i dhënë të drejtën e hyrjes në kryeqytet vetëm për dy ose tre ditë në javë. Tani si Kyeministër, ai po realizon një premtim publik, duke zyrtarizuar urrejtjen ndaj Veriut të vendit.
Motivi i dytë lidhet me historinë dhe gjenezën e forcës politike që Rama përfaqëson. Rama është një këlysh politik i Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Ai kurrë nuk mund të harrojë amanetin e tyre se Kosova është Serbi. Ai po ringre sërish një mur ndarës me Kosovën. Ky mur do t’i bëjë më të vështira shkëmbimet njerëzore dhe tregtare mes dy pjesëve të kombit. Bashkimit fizik mes Shqipërisë dhe Kosovës që u arrit me rrugën e “Kombit”, tani po i vendoset sërish dogana dhe barriera të reja. Që fatkeqësisht janë politike dhe përfaqësohen pikërisht nga këlyshi i Miladinit dhe Dushanit.
Motivi i tretë ka të bëjë me historinë e kësaj rruge. Kjo rrugë është një histori e një suksesi të paimagjinueshëm të Sali Berishës dhe qeverisë së tij. U ndërtua brenda katër viteve në një reliev të konsideruar si më të vështirët në Europë. Tek kjo rrugë, Rama e shikon veten e tij lakuriq në bilancin e tij qeverisës të këtyre tre viteve në krye të qeverisë. Bilanci i kësaj rruge është shkatërrues për Ramën.
Berisha me 1 miliard dollarë të taksapaguesve të këtij vendi bashkoi Shqipërinë me Kosovën, ndërsa Rama në vetëm dy viteve në krye të qeverisë, sipas KLSH, jo vetëm që nuk ka bërë një vepër të ngjashme, por i ka grabitur 1 miliard dollarë taksapaguesve me korrupsionin në dogana, tatime, tendera dhe koncesione. Këto janë arsyet madhore se përse sot kemi Taksën e Urrejtjes ndaj rrugës së “Kombit”. Rama kërkon ta bëjë atë gjithmonë dhe më pak të prekshme për shqiptarët.