Shoqatat e Mjedisit, sot protestë kundër punimeve në lagunën e Karavastasë

Rrjeti i Shoqatave Mjedisore ka paralajmëruar një protestë sot në orën 11:00 në lagunën e Karavastasë në Kanalin e Vaut, pasi kundërshtojnë ndërhyrjen që po bëhet në Parkun Kombëtar.
Rrjeti i Shoqatave akuzojnë bashkinë e Divjakës se nuk ka marrë leje mjedisi nga institucionet përgjegjëse dhe KKT dhe futja e makinerive të rënda në park është tërësisht antiligjore, ndërsa nga ndërhyrja për qëllime turistike, që po bëhet rrezikohet  folezimi i Pelikanit kaçurrel në Shqipëri. “Shprehin kundërshtimin për ndërhyrjen antiligjore në Karavasta duke futur mjete të rënda motorike gërmuese në Zonën Qendrore të Parkut, me efekt qartësisht negativ jo vetëm në biodiversitetin e parkut por dhe si ndërhyrje që mund të prishi gjithë ekuilibrat natyrorë dhe vlerat turistike të Parkut”.
Shoqatat në mbrojtje të mjedisit theksojnë se bashkia e Divjakës ka paraqitur përpara disa muajsh kërkesën për Leje Mjedisore për zhvillimin e një projekti në brendësi të Parkut Divjakë-Karavasta, por sipas tyre nuk ka respektuar ligjin, pasi projekti para zbatimit duhet te diskutohet dhe miratohet nga organet kompetente te planifikimit te territorit dhe organet kombëtare të administrimit dhe menaxhimit të burimeve ujore dhe një gjë e tillë nuk është bërë.
Ambientalistët denoncojnë se gërmimet po realizohem me qëllim krijimin e një kanali lundrues që lidh Divjakën me lagunën e Karavastasë dhe ndërtimin e një ure druri të varur për këmbësorët në pyllin e Divjakës.
Zona e mbrojtur me vendim qeverie në Karavasta sipas tyre është pasurie jo vetëm kombëtare por edhe botërore. “Vendi ku parashikohet të kryhet ndërhyrja dhe më pas përdorimi për qëllime turistike është i vetmi territor i folezimit të Pelikanit kaçurrel në Shqipëri, është një habitat shumë i rëndësishëm për qëndrimin dhe ushqimin e 45 mijë shpendëve ujorë dimërues, një habitat me rëndësi ndërkombëtare të paktën për 4 lloje të shpendëve, vendi ku riprodhohen mbi 1 mije çifte të shpendëve folezues si dhe një nga zonat më të njohura në Lagunën e Karavastasë si mbajtëse e rasatit të peshkut që furnizon më pas gjithë lagunën’ thuhet në reagimin e shoqatës.