Mavraj, luftë për një vend në formacion

Situata e Mërgim Mavrajt te Këlni ndërron thuajse pas çdo jave. Lojtari herë planifikohet si titullar i padiskutueshëm nga trajneri Stoger dhe herë shihet si një alternativë e prapavijës në stolin e rezervave.
Pas pjesëmarrjes në Euro 2016 me kombëtaren shqiptare, Mavraj u kthye në klub me bindjen se këtë radhë do të ishte përsëri protagonist në Bundesligë. Por sipas “Kölnische Rundschau”, kthimi i mbrojtjes me tre si në sezonin e kaluar, nuk i garanton futbollistit shqiptar një vend në formacionin e skuadrës.
Në sezonin e kaluar ai luajti përkrah Heintz dhe Maroh në këtë rreshtim që aplikoi Këlni, duke u aktivizuar në 12 ndeshje, kryesisht në pjesën e dytë të sezonit. Tani 30-vjeçari duhet të luftojë me 24-vjeçarin danez Sorensen, të cilin klubi e sheh si një lojtar me shumë perspektivë, ndaj rrezikon të mbetet përsëri në stolin e rezervave, të paktën në javët e para të fillimit të sezonit.
Gjatë kohëve të fundit u përfol për një zgjatje të kontratës së Mavrajt me Këlnin, pasi marrëveshja ekzistuese i përfundon në qershorin e vitit të ardhshëm. Fakti që trajneri Stoger i dorëzoi atij shiritin e kapitenit në disa miqësore përgatitore, shtoi më shumë zërat për një akord të mundshëm të arritur mes palëve për rinovimin e kontratës.
Me sa duket, situata nuk është edhe aq e qetë për mbrojtësin e kombëtares, i cili duke shpresuar te vendi i titullarit, ka refuzuar ofertat që i kanë ardhur deri tani, me bindjen e plotë se te Këlni do t’i jepej mundësia të ishte protagonist. Tanimë, ai rrezikon që të mbetet një vit në stolin e rezervave, një hipotezë që ai as nuk e mendonte vetëm një muaj më parë.