Klop irritohet për Pogba

Jurgen Klop ka komentuar transferimin e Pol Pogba nga Juventus te Mançester Junajtid për 100 milionë paund, duke treguar qartësisht se është kundër shifrave të tilla marramendëse për një futbollist të vetëm. “Nëse afron një futbollist dhe ai të kushton 100 milionë paund, ndërsa më pas të dëmtohet, atëherë ke shkatërruar gjithçka. Në ditën kur ky do të jetë normaliteti në futboll, atëherë unë nuk do të punoj më, pasi kjo lojë është për të luajtur të gjithë së bashku. Kjo është mënyra se si të gjithë në futboll e kuptojnë këtë sport. Ti gjithmonë ke qejf të kesh më të mirët, por duhet të ndërtosh një grup që të jesh i suksesshëm”, ishte filozofia e trajnerit të Liverpulit.
Ai la të kuptohet se nuk do të bënte investime me shifra të çmendura, por do të kërkonte lojtarë, të cilët i përshtateshin në mënyrë funksionale ekipit që kishte. “Klube të tjera mund të shpenzojnë shuma të mëdha dhe të koleksionojnë lojtarë të njohur. Por unë dua ta bëj ndryshe. Unë do ta kisha bërë ndryshe edhe nëse do të shpenzoja shifra të tilla.
Në fakt as nuk e di se cila është shifra që mund të shpenzoj, pasi askush nuk më ka thënë deri më sot që nuk mund ta bëjë një gjë të caktuar. Por nëse shpenzoj para, do ta bëj, sepse po mundohem të ndërtoj një skuadër, një skuadër të vërtetë. Barcelona e bëri një gjë të tillë”, theksoi trajneri gjerman i Liverpulit.
Tashmë nuk ka më dyshime, Paul Pogba do të rikthehet aty ku nisi karrierën disa vite më parë, në radhët e Manchester United për t’u vendosur nën urdhrat e trajnerit Jose Mourinho. Mesfushori francez i Juventusit është shumë pranë firmës me “Djajtë e Kuq”, pasi do të kryejë vizitat mjekësore në një klinikë në Los Angeles. Lajmin e bëjnë të ditur mediat franceze, sipas të cilave, agjenti i tij, Mino Raiola dhe klubi britanik duhet të bien dakort edhe për disa detaje, në mënyrë që Pogba të marrë ok përfundimtar.
Kartoni i mesfushorit do t’i kushtojë klubit të Mourinhos 110 milionë euro dhe në këtë mënyrë, Pogba do të bëhet lojtari më i shtrenjtë i historisë së futbllit. Në këtë mënyrë, zyrtarizimi i lojtarit te Manchester United është vetëm çështje orësh. Juventusi dhe klubi anglez e gjetën gjuhën e përbashkët mbi bazën e 110 milionë eurove, ndërsa lojtari do të nënshkruajë një kontratë 5- vjeçare me 13 milionë euro në sezon. Pogba do të ishte goditja e katërt e madhe për Jose Mourinhon te Manchester United pas zyrtarizimit të Ibrahimoviç, Bailly e Mkhitaryan.
23-vjeçari u bashkua me skuadrën e të rinjve të Manchester United në vitin 2009 dhe pas dy sezoneve, ai u bë pjesë e ekipit të parë ku u aktivizua në tre takime. Ishte Juventusi që arriti ta rrëmbente në vitin 2012 për një shumë simbolike dhe tashmë Pogba rikthehet sërish në tempullin e futbollit britanik për të ndihmuar “Djajtë e Kuq” në rrugën e vështirë të ringritjes.