Kërkohet ekstradimi i Xhafës për drogën

Ish-kryeministri Sali Berisha publikoi dje denoncimin e një polici, sipas të cilit Rama prej disa kohësh mban të fshehur një kërkesë zyrtare të Interpol Venezuelës për ekstradimin dhe arrestimin e Agron Xhafës, vëllait të deputetit socialist, Fatmir Xhafaj. Sipas denoncimit, Agron Xhafaj i ka mbyllur gojën Edi Ramës me 1.3 milionë euro. “Polici dixhital informon: Edi Rama ka fshehur kërkesën e Interpol Venezuela për arrestimin dhe ekstradimin e Agron Xhafës, vëllait të Fatmir Xhafës si supertrafikant droge në Venezuelë! Aktualisht vëllezërit Xhafaj janë pronarë pallatesh dhe lojërash fati në Vlorë! Duket se për të fshehur këtë kërkesë Xhafaj e ka peshuar Ramën në kandar”, shkruan Berisha në postimin e tij. Referuar denoncimit të postuar nga Berisha, polici shprehet: “Mirdita z. Berisha, nuk e di nëse jeni në dijeni të faktit se për byrazerin e Fatmir Xhafës ka një vendim gjykate për ekstradimin e Agron Xhafajt më 2014 (jo ai nga Italia 2001), por nga Venezuela, të cilin autoritetet shqiptare duhet ta ekzekutojnë, por bëjnë të kundërtën. Thuhet se Agron Xhafaj e ka mbyllur hesapin e vet duke i dhënë kesh në dorë Edi Ramës fiks 1,3 milionë euro. Fshehjen e kërkesës së Interpol Venezuela nga qeveria e kanë raportuar edhe mediat e vendit. Të nderosh në Pallat të Brigadave vëllain dhe pastruesin e parave të drogës venezueliane është fyerje e madhe për shqiptarët dhe provokim i rëndë për ata gjyqtarë e prokurorë të ndershëm që luftojnë me trafikantët e drogës. Paratë e drogës venezueliane siç tregohet edhe në vendimin e gjykatës së Venezuelës janë tek pallatet në Vlorë dhe kompania e basteve Amex në pronësi të vëllezërve Xhafaj, Fatmir dhe Agron”, thuhet në denoncimin e postuar nga ish-Kryeministri Berisha.

Trafiku i drogës në Itali, raporti sekret nga Venezuela

Se cilin person ka liruar Gjykata e Apelit Vlorë, duke sjellë dështimin e ekstradimit të tij në Itali për shkak të arratisjes, e tregon ky vendim i vitit 2011 i Gjykatës së Lartë të Vezuelës. Bëhet fjalë për një ngjarje të vjetër, të publikuar nga mediat në mars të vitit 2014. Gjykata e vendit të Amerikës së Jugut duke shqyrtuar një çështje ekstradimi të një trafikanti polak që kërkonte drejtësia italiane, ka shtjelluar edhe veprimtarinë kriminale të Gramos Murataj. Trafikanti vlonjat për të cilin drejtësia italiane kishte kërkuar arrestimin dhe ekstradimin me çdo kusht në Itali nga Shqipëria, rezulton i përfshirë në një grup të madh droge, që trafikonte heroinë, hashash, marijuanë dhe kokainë në shumë zona të Italisë. Banda e drejtuar nga shqiptarët, kishte planifikuar të trafikonte drogë në Amerikën e Jugut dhe Kanada. Madje për të vënë në jetë planin, në Shqipëri ka mbërritur dhe një shtetas kanadez, me qëllim ndarjen e detyrave. Vendimi i gjykatës venezueliane, nxjerr në skenë dhe një dokument të Gjykatës së Leçes, e cila tregonte të gjithë dinamikën e veprimtarisë kriminale të këtij grupi. Mes personave të implikuar në këtë rrjet janë dhe shtetas italianë. Ndërsa tepër aktiv tregohet dhe roli i vëllezërve Gramos dhe Besnik Murataj. Këta dy të fundit rezultojnë në Shqipëri të dy biznesmenë dhe aksionerë në një kompani bastesh sportive, që nga verifikimet ka rezultuar se quhet “Eccobet”. Vendimi i Gjykatës së Lartë venezueliane, ka marrë spunto nga një kërkesë për ekstradimin e shtetasit polak Piekarniak Tomazs, i cili është dënuar nga Gjykata e Leçes me 9 vite burg. Vendimi është marrë nga gjyqtarët Ninishka Kuipo Brisenjo, Deyanira Nieves Bastidas, Blanca Rosa Marmol De Leon, Eladio Raman Aponte Aponte, Hector Coronado Flores dhe Gladys Hernandez Gonzalez.

Deklaratë e gjyqtares venezueliane

Më 24 mars të vitit 2011 u depozitua kërkesa për ekstradim e qyterarit polak Piekarniak Tomazs, datëlindja 11.2.1975 në Varshavë dhe rezident në Jesolo të Venecias, nga ana e ambasadës së Italisë, që kërkohej nga Prokuroria e Leçes. Ndaj këtij personi ishte shpallur dënim me 9 vjet burg nga Gjykata e Leçes.
Sipas gjykatës, ai kishte kryer krimin e shitjes së substancave narkotike në bashkëpunim me qytetarët: Agron Xhafaj, Ervin Qezi, Tomasz Piekarniak, Gramos Murataj, Besnik Murataj, Rino Gerardi, Altin Maci, Fadil Papa, Edison Sali, Orges Seferaj. Droga ishte e llojit heroinë, marijuanë dhe hashash. Sipas autoriteteve italiane, Fadil Papa, sillte në Itali drogën, duke e shitur edhe në Jug të Italisë, në zonën e Alentos.

Ndarja e zonave

Një pjesë e saj trafikohej në Venecia dhe Trevizo, ku operonte Besnik Murataj, në bashkëpunim me Tomasz Piekarniak, Rino Gerardi dhe Ervin Qezi. Ndërkohë në Bolonja operonin Agron Xhafaj dhe Orges Seferaj, në Parma, Altin Maci dhe në Imperia, Edison Sali. Sipas hetimeve, qytetari polak Tomasz Piekarniak bënte pjesë në një grup të organizuar krimi, që ishte vërtetuar nga përgjimet telefonike.

Kanadezi në Shqipëri

Ky grup importonte hashash, heroinë dhe marijuanë nga Shqipëria dhe kishte planifikuar trafikim të heroinës dhe kokainës ndërmjet Italisë, SHBA, Kanadasë dhe Shqipërisë. Piekarniak përdori hashash dhe marijuanë për ta trafikuar nga Emilia Romanja e Italisë në Poloni përmes qytetarit shqiptar Besnik Murataj dhe atij kanadez Frank Morello, i cili kishte udhëtuar edhe në Shqipëri. Besnik Murataj ishte lidhur me italianin Paolo lo Sasso, që jetonte në SHBA dhe ishte shumë aktiv në shkëmbimin e kokainës të prodhuar në Amerikën e Jugut me heroinë që vinte nga Shqipëria, e destinuar për tregun amerikan.

Roli i kunatit

Fadil Papa, me pseudonimin Ndriçim Haxhiaj (Çimi) furnizonte drogat nga Shqipëria për në Salento, në Bolonjë e shiste Agron Xhafaj (Goni) me Orges Seferajn (Gesi), në Parmë Altin Maci (Miu), në Imperia Edison Sali (Soni) dhe në Venecia Besnik Murataj. Fadil Papa ishte kunati i Besnik Muratajt. Ky i fundit siguronte të gjitha drogat, sipas përgjimeve telefonike. Hetimet nxorën në pah faktin se Besnik Murataj dhe Paolo lo Sasso, që ishte mik i Gramos Muratajt, vëllai i Besnikut, kishte realizuar shkëmbime heroine-kokainë.

Prangosja më 2000

Më 2 dhjetor 2000 Frank Morello mbërriti në Venecia. Vëllai i tij Antony Morello ishte në Vlorë, ku më datë 4 u takua me Fadil Papën, që i gjeti një kg heroinë, por u arrestua nga policia shqiptare më 7 dhjetor 2000. Përgjimet konstatuan se ishte përfshirë në trafik babai i tij.
Ndërkohë, Gramos Murataj, vëllai i Besnikut, doli nga burgu në Zvicër, ku mbahej për akuzën e tentativës së vrasjes dhe menjëherë tentoi të trafikonte 40 kg heroinë, më 3 tetor 2001 në Stamboll. Nisur nga këto konstatime, autoritetet italiane kanë nxjerrë urdhër arresti me burg për këta persona, të implikuar në trafikun ndërkombëtar të drogës: Murataj Besnik, Gerardi Rino, Kaci Naltin, Lo Sasso Paolo, Maci Atin, Morello Anthony, Morello Frank, Murataj Gramos, Papa Fadil, Piekarniak Tomasz, Qezi Ervin, Sali Edison, Seferaj Orges, Szamborowski Adam, Toro Julian, Xhafaj Agron. Besnik Murataj kishte një punë “mbuluese” në picerinë “Bucintoro” në Jesolo, Itali. Murataj dhe Tomasz banonin në të njëjtën shtëpi.

16 urdhër arreste

Besnik Murataj
Rino Gerardi
Altin Kaci
Paolo lo Sasso
Atin Maci
Anthony Morello
Frank Morello
Gramos Murataj
Fadil Papa
Tomasz Piekarniak
Ervin Qezi
Edison Sali
Orges Seferaj
Adam Szamborowski
Julian Toro
Agron Xhafaj

Dosja, vëllai i Fatmir Xhafajt pjesë e bandës së drogës, zona që kishte në patronazh

Gjatë këtyre ditëve në media janë publikuar të dhëna për një dokument të Gjykatës së Lartë në Venezuelë, për ekstradimin e disa shqiptarëve, pjesë e një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës. Mes tyre është edhe Agron Xhafaj, vëllai i deputetit të PS, Fatmir Xhafaj. Sipas vendimit të Gjykatës Supreme në Venezuelë, që “SYRI.net” e disponon, Agron Xhafaj është pjesë e një rrjeti droge që trafikonte heroinë, kokainë dhe kanabis në Itali e vende të tjera të Europës dhe Amerikës Jugore.

Roli i Agron Xhafajt

Siç thuhet edhe në vendimin e gjykatës venezueliane për ekstradimin e polakut Tomasz Piekarniak që ishte kreu i bandës, Agron Xhafaj vepronte në qytetin e Bolonjës në Itali. “Aty kishte shitësit e vet të menaxhimit të rrjetit, i ndihmuar nga Orges Seferaj”, thuhet në vendim. Siç theksohet edhe në raport, Agron Xhafaj rezulton edhe me mbiemrin Xhafan, ndërsa nga pjesëtarët e grupit kriminal ai thirrej “Goni”. Nga bisedat e përgjuara të grupit kriminal, në Bolonjë që mbulohej nga Agron Xhafaj, sigurohej hashashi dhe marijuana. Vëllai i deputetit të PS, Agron Xhafaj ra në prangat e policisë italiane gjatë transportit të një sasie prej 4 kg hashash. Një tjetër drejtues kryesor i kësaj bande kriminale ishte edhe vlonjati Besnik Murataj, gjithashtu i arrestuar. Nga përgjimet telefonike të tij, në arsyetimin e vendimit të gjykatës venezueliane thuhet se: “Dëshmohet me prova ekzistenca e marrëdhënieve të vazhdueshme të Besnik Muratajt dhe shqiptarëve Agron Xhafaj dhe Ervin Qezi për aktivitete të jashtëligjshme, mesa duket me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”. Ky vendim i gjykatës i hap rrugë ekstradimit të të arrestuarve për në Shqipëri e Itali, çështje për të cilën denoncoi dje edhe ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili tha se qeveria po fsheh letrën e ekstradimit të Interpolit, njësoj si në rastin e Mark Frrokut. Kjo organizatë kriminale e përbërë nga shqiptarë dhe shtetas të huaj që vepronte në disa vende të botës, është shkatërruar nga policitë e huaja në vitin 2011.