50 mijë euro për një vendim, përgjimet: Jo toka, duhen të thata

Zbardhen përgjimet telefonike, të cilat implikojnë direkt bashkëshortin gjyqtares së Gjykatës së Lartë, të pezulluar nga detyra, Majlinda Andrea, Odhise Andrea e për rrjedhim edhe vetë gjyqtaren. Odhisea Andrea komunikon intensivisht me Petraq Dashin, madje edhe e takon duke negociuar çmimin në Rrogozhinë, derisa bien dakord për të ulur nga tarifa e kërkuar prej 60 mijë eurosh, duke e zbritur në 50 mijë euro.
Gjatë përgjimeve, të akuzuarit e tjerë, Ilia Cabiri dhe Eleni Lino flasin në telefon me Petraq Dashin për çmimin se sa kërkojne “atje lartë” për ta zgjidhur çështjen dhe Petraqi shprehet se kjo punë në Gjykatën e Larte  do “graso”. Pasi takohet me Odhise Andrean, Ilia Cabiri interesohet në telefon për shumën e saktë, duke pohuar se janë gati të japin tokë,  por Petraq Dashi i përgjigjet se  nuk duan as toka, as gjë, por i duan “të thata”.
Ai na e uli, shprehet Petraqi, nga 60 në 50 dhe për ne kjo është gjë e madhe, ndonëse Ilia Cabiri shton i pakënaqur se shumë janë edhe kaq. Një ditë pas kësaj telefonate, palët tërheqin shumën pranë një pike transferte monetare në Fier, ndërkohë që dy orë pas këtij veprimi, Petraq Dashi  komunikon sërish në telefon me bashkëshortin e gjyqtares. Petraq Dashi e pyet Odhise Andrean se kur do që të takohen, ndërsa ai i përgjigjet se sa më shpejt, aq më mirë se “vapë e madh dhe ikin njerëzit”.
Brenda ditës, Petraq Dashit ja dorëzon paratë në një qese të mbështjellë me letër, ndërkohë që të nesërmen e dhënies së lekëve, Gjykata e Lartë me anëtare në trupë gjyqësore Majlinda Andrean,  vendosi në dhomë këshillimi mospranim rekursi në favor të palës që pagoi.
Ndërkohë, Odhise Andrea, bashkëshorti i ish-gjyqtares së Gjykatës së Lartë, Majlinda Andrea është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Interpol Tirana kërkon ndihmën e policive të vendeve të tjera për arrestimin e Odhise Andreas, veçanërisht të Italisë, ku dyshohet se mund të jetë fshehur.
Odhise Andrea së bashku me gruan, Majlinda Andrea u larguan nga Shqipëria një ditë para vendimit për arrestimin e tij. Gjyqtarja e pezulluar u rikthye në Shqipëri nga Italia, ndërsa burri i saj jo.
Odhise Andrea akuzohet se përmes sekserit Petraq Dashi ka marrë 50 mijë euro, që e shoqja të jepte një vendim në favor të Ilia Çabirit dhe Eleni Linos, për njohjen e pronësisë së rreth 40 hektarëve tokë në Butrint.
Një ditë pas dhënies së parave, trupa e Gjykatës së Lartë, pjesë e të cilës është edhe Majlinda Andrea, u shpreh në favor të shtetasve Ilia Çabiri dhe Eleni Lino. Gjykata pak ditë më parë vendosi që Eleni Lino të hetohet në masën arrest shtëpie, ndërsa Ilia Çabiri dhe Petraq Dashi u lanë në arrest me burg. Një ditë më parë, Prokuroria vendosi sekuestro për 50 mijë euro të çiftit, në dy banka të nivelit të dytë.