Tarifa për Rrugën e Kombit, nis peticioni online: Të ndalohet dhënia me koncesion

Tarifa e paralajmëruar prej 5 Euro që do të paguhet për të kaluar në Rrugën e Kombit, ka ngjallur pakënaqësi të shumta tek qytetarët dhe shoqëria civile, të cilët sot dolën në protestë përpara Ministrisë së Transporteve.
Për të kundërshtuar këtë vendim, ka nisur edhe një peticion online që të ndalohet dhënia me koncesion e kësaj rruge.
Koncesionin për Rrugën e Kombit e ka fituar një kompani turke që do të përfundojë ndërtimin e rrugës në disa segmente dhe do ta mirëmbajë për 30 vite, duke vendosur tarifë prej 5 Euro kalimi për çdo makinë dhe një shumë më të lartë për kamionët dhe autobusët, por që ende nuk është përcaktuar në kontratë se sa do të jetë.
Peticioni online, i iniciuar nga “Nisma Thurrje” u është dërguar Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe Ministrisë së Transporteve. Deri në orën 21:45(28 korrik), 443 qytetarë kanë votuar online kundër dhënies me koncesion të Rrugës së Kombit.
“Ministria e Transporteve është duke firmosur një marrëveshje koncesionare me një shoqëri Turke per rrugen e Kombit. Marrveshja parashikon se mbas 6 muajsh te hyrjes se saj ne fuqi te gjitha mjetet qe do te kalojne ne kete autostrade do te paguajne 5 Euro ne vajtje dhe po aq ne kthim. Pra nje total prej 10 Eurosh. Marrveshje te ngjashme jane parashikuar te firmosen me pas edhe per akset e tjera rrugore ne Shqiperi.
Shqiptaret paguajne ne vit 150 milione euro taksa per mirembajtjen e rrugeve. Ato paguhen per cdo liter nafte, nepermjet takses se qarkullimit e cila eshte 34.2 leke per cdo liter nafte. Gjithashtu paguajne edhe taksen vjetore te qarkullimit te mjeteve e cila mesatarisht (varet nga lloji i mjetit) shkon ne nivelin e 10.000 leke ne vit.
150 milione euro jane mjaftueshem per te mirembajtur jo vetem rruget tona, por edhe ato te vendeve fqinje e per kete arsye vendimi per te koncesionuar rruget, pa eliminuar taksat ekzistuese te qarkullimit, eshte abuziv dhe sherben vetem per te pasusuar kompanite koncesionare dhe ata qe qendrojne mbas tyre.
Ne, qytetarët e këtij vendi nëpërmjet këtij peticioni i kerkojme Keshillit te Ministrave qe te anulloje vendimarrjen per dhenien me koncesion te rruges se Kombit dhe çdo rrugë tjeter deri në eliminimin e taksave aktuale të cilat mjaftojnë për të mirëmbajtur rrugët”, shkruhet në peticionin online.