Plantacionet e drogës të Saimir Tahirit në të gjithë vendin

Ish-Kryeministri Berisha ka publikuar një foto nga parcelat me kanabis që tashmë kanë pushtuar të gjithë vendin. “Në Kanabistan, në arat e Saje qorrit!”, shkruan ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook, pa e përcaktuar vendin se ku është fotografuar parcela me kanabis.
Realisht në të gjithë Jugun e vendit si Vlorë, Tepelenë, Gjirokastër, Berat, Sarandë, Skrapar, Kolonjë e Korçë, lulëzojnë pyjet e mbjella me kanabis. Po ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit, nga Delvina në Dumre, si dhe nga Dukagjini në Krujë përfshi edhe Tiranën, kanabisi është gati për t’u korrur e trafikuar jashtë shtetit. Ndërsa policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e tij.
Mali i Çukës në Vlorë është i mbjellë me kanabis nga Habilajt dhe ka nisur faza e korrjes. Bëhet e ditur, se në këtë zonë policia nuk guxon të afrohet, pasi parcelat me kanabis janë në pronësi të njerëzve të Tahirit.
Bima narkotike ka arritur pjekjen e saj dhe në mjaft zona ka filluar mbledhja për t’u trafikuar jashtë shtetit. Bëhet e ditur se, plantacionet me hashash ruhen nga punonjës policie, të cilët janë të përfshirë në këtë trafik fitimprurës.
Policia bën gjoja sikur organizon aksione për shkatërrimin e parcelave me kanabis, por në fakt shkatërron ato  parcela të cilat nuk zotërohen nga Tahiri dhe njerëzit e tioj, por të disa “hallexhinjve”. Kështu, pra policia korr kanabisin e parcelave ku nuk u del për zot njeri.
Nëse qeveria do të kishte pikësynim goditjen e kultivimin të lëndëve narkotike, atëherë si shpjegohet që kanabisi lulëzon në të gjithë vendin, ndërsa policia bën sikur organizon aksione, duke korrur disa parcela të vogla që u përkasin njerëzve pa mbështetje nga polcia. Apo më keq akoma, korr kanabisin, pasi është vjelë droga nga trafikantët.
Kultivimi në masë të gjerë i kanabisit në të gjithë vendin tonë është kthyer në një shqetësim ndërkombëtar. Policia italiane, ndryshe nga ajo shqiptare, është shumë e shqetësuar për këtë situatë. Sipas autoriteteve italiane, kultivimi i hashashit është zgjeruar në të gjithë territorin e Shqipërisë dhe ky përbën një shqetësim serioz.

Shqipëria e mbytur në kanabis

Shqipëria është e mbushur plot me kanabis nga Jugu në Veri. Kultivimi i kanabisit gati në çdo zonë të vendit nuk përbën më lajm. Çdo ditë raportohet për asgjësim të mijëra rrënjve, ndërsa kultivuesit apo “kokat” e trafikut “largohen” në drejtim të paditur për policinë.
Gazetari Artan Hoxha publikoi dje një video, ku ai shfaqet mes parcelave me kanabis në zonën mes Gjirokastrës dhe Vlorës. Hoxha shprehet se së shpejti do të publikojë një investigim më të plotë rreth trafikut të kanabisit dhe parcelave plot e përplot në jug të vendit, kryesisht në qarqet Vlorë dhe Gjirokastër. Ndërkohë, kryeministri dhe ministri i Brendshëm vazhdojnë të krenohen me operacionin në Lazarat, ndërsa mbyllin sytë përballë “lazaratizimit” të të gjithë vendit.
Siç duket edhe në pamjet e publikuara nga vetë ai në Facebook, që tregojnë numrin e madh të parcelave, gazetari Hoxha thotë se këto zona të varfëra ku kultivohet kanabis, është rritur mirëqenia dhe askush nuk ankohet për papunësi. Ai ka paralajmëruar se shumë shpejt do të publikojë pamje të tjera nga parcelat me bimë narkotike, që ruhen nga persona të armatosur.
“Shikoni se ç’bëjnë “djemtë”. Si i shfrytëzojnë me rendiment super të lartë tokat e lëna djerrë. Pa subvencione. Pa ndihmë nga askush.
Pa kredi të buta nga bankat që grumbullojnë valutën e sjellë prej shqiptarëve nga çdo cep i globit dhe e dërgojnë në Vienë. Bankiere të pangopur, hajdutë me kollare, shokë e miq të Fullanit.
Shikojeni si sillet valuta në vend, si rritet GDP-ja, si ulet inflacioni, si ulet papunësia, si rritet mirëqenia…
Kot merret Panariti me luleshtrydhen e Divjakës!!! S’ke ç’i bën. Nuk ka treg, sado që të çirret me të drejtë Erjon Braçe.
Merru more me produktet made in Albania që kërkon tregu, madje tregu evropian jo tregu i Lushnjës.
Çfarë t’u shash, cilësinë?! S’ka të dytë, aq sa e vendosim vet standardin e kualitetit në BE. Nikoqirllëkun në shfrytëzimin e tokës dhe resurseve natyrore e klimaterike të vendit?!
Janë të paparë, s’ka të dytë si ata!
Shikojeni vetë produktin! A e dini që në rrethet më të varfëra të vendit, ka disa muaj që nuk ankohet kush nga papunësia?! Ka rënë ndjeshëm kriminaliteti! Konsumi i brendshëm ka nisur të lulëzojë.
Pse?!!!
Çfarë ka ndodhur?!!!
Ta ketë bërë “konsensusi patriotik”?!!!!
Harrojeni!!!!
Shajini, sikterisini, mos u lini gjë pa thënë, por na fund kafshojeni gjuhën dhe minimalisht u thoni një “Faleminderit” (Me keqardhje të thellë, por jam i detyruar ta them këtë).
Djemtë kanë hapur fronte pune pa fund, edhe pse janë vetëm sezonale.
Puuuuuunëëëë për të tërëëëëë.
Fitimi në tre muaj punë është sa të punosh një vit me rrogë shteti. Pa taksa. Pa detyrimin që duhet të jesh në ditë pushimi në ndonjë miting partie, apo të paguash 30 për qind të rrogës si haraç për shkuma-party të rinisë së partisë. Nuk ka nevojë të bëhesh militant partie apo të paguash ryshfet për t’u futur në punë.
Thjeshtë, mjafton të jesh nevojtar për të çuar në darkë bukën e fëmijëve në shtëpi.
Të marrin e të çojnë me makinë. Ushqimi gjatë punës, falas. Në zona më të mira dhe me shërbim katering.
E kanë bërë Shqipërinë rurale, xhenet more xhenet. Atij Pashait të Jugut vërtet mund t’ia kenë hequr spaletat, por i marrshin të keqen pashallëkut të tij, shiheni vet si lulëzon….
Doni të pushoni në Dhërmi, Jalë, Santa Quaranta në Sarandë, apo Bora Bora të Ksamilit, në resortet luksoze të Zamirit, grekut, turkut, ishujve Karaibe apo në Dubai?!! Pushoni.
Beni qejf!
Relaksohuni!
Në shtator bëhuni gati për “sulmin patriotik”, pa qetësi e pa dashuri.
Kaq për sot…nga Xhungla dehëse made in Albania
P.S.Mos më pyesni për vendin ku jam, oferta është vetëm për turistët e huaj. Pamjet janë të freskëta, të vetëm para pak ditësh, në një zonë që shtrihet mes dy qarqeve Vlorë e Gjirokastër.
Si çdo sezon kanabist, “Xhungël” nuk do t’u zhgënjejë dhe këtë vit. Së shpejti, në News24, do të keni një investigim të detajuar nga “Thellësia e pashallëkut të Jugut”….
Dhe më pas, Xhungël starton sezonin e ri me një cikël emisionesh, një panoramë të plotë teë fenomenit nga Jugu në Veri.
Një seri udhëtimesh aventure, plot rreziqe dhe adrenaline në parcelat e kultivuara nga narkotrafikantët, që ruhen me skuadra njerëzish të armatosur”, shkruan ai.

Arben SHAHINI