Paul Pogba, një hap larg nga United për 110 milionë euro!

Paul Pogba është gjithnjë e më pranë rikthimit te Manchester United. Sipas asaj që raportojnë mediat italiane orët e ardhshme do të jenë vendimtare për të ardhmen e mesfushorit francez. Takimi i fundit i organizuar mes drejtorit të përgjithshëm të bardhezinjve Beppe Marotta, menaxherit të lojtarit Mino Raiola dhe zëvendëspresidentit të Manchester United, Ed Woodward ka qenë pozitiv dhe mesa duket është arritur marrëveshja mes drejtuesve të të dy klubeve për kalimin e 23-vjeçarit në “Old Trafford”. 110 milionë euro është shuma që Manchester United do të derdhë në arkat e Juventusit për Pogba edhe pse fillimisht u fol për një transferim që do të kapte shifrën e 120 milionë eurove. 20% e shumës do të përfundojë në xhepat e Pogba, ndërsa United dhe Juvja do të përfitojnë nga UEFA 5% të 110 milionë eurove, kjo për faktin se kanë qenë dy klubet tek të cilat Pogba është rritur si futbollist.
Me Djajtë e Kuq, mesfushori i përfaqësues franceze pritet të nënshkruajë një kontratë 5-vjeçare me një pagë prej 13 milionë eurosh në sezon plus një sërë bonusesh në rast të arritjes së objektivave. Për të firmosur me Pogba, Manchester United fitoi konkurencën me Realin e Madridit, klubin tjetër që interesohej për shërbimet e 23-vjeçarit. Kalimi i Paul Pogba te skuadra e Jose Mourinhos është vetëm çështje orësh dhe shumë shpejt mesfushori francez pritet të shndërrohet në lojtarin më të shtrenjtë të transferuar ndonjëherë nga një klub futbolli.