Papa i tërheq vëmendjen Polonisë të pranojë refugjatë

Gjatë vizitës në Krakov Papa Françesku përfiton nga rasti ta kritikojë politikën e azilit të qeverisë nacionalkonservatore të Polonisë. Polonia deri tani i ka bërë rezistencë politikës së BE-së ndaj refugjatëve

Ai kërkoi “gatishmëri për të pranuar ata, që arratisen prej luftrave dhe urisë”, deklaroi Papa Françesku gjatë takimit në Krakov me kryesinë e shtetit polak të përbërë nga Presidenti Andrzej Duda dhe Kryeministrja Beata Szydlo. Ata, të cilëve u hiqen të drejtat themelore të tyre ose e drejta për liri dhe siguri, si dhe për të ushtruar besimin e tyre kanë nevojë për solidaritet, tërhoqi vëmendjen kreu i Kishës Katolike. Për këtë duhen avancuar “format e bashkëpunimit dhe sinergjitë në nivelin ndërkombëtar, për të gjetur zgjidhje për konfliktet dhe luftrat”.
Polonia refuzon në dallim nga vendet e tjera të BE-së të pranojë kontigjente me numër të konsiderueshëm refugjatësh myslimanë nga rajonet e krizës si Siria, Iraku e Afganistani. Këtë qëndrim e ritheksoi Kryeministrja Szydlo në sfondin e sulmeve të fundit në Gjermani dhe në Francë.

“Bota është në luftë”
Rrugës për në Krakov Papa tha: “Bota është në luftë, sepse ajo e ka humbur paqen”. “Kur bëj fjalë për ‘luftë’ kam parasysh luftën për para dhe burime, por jo një luftë e religjoneve”, saktësoi ai. Prifti i vrarë të martën (26.07) në veriperëndim të Francës është viktimë e kësaj lufte, shtoi Françesku. Në përkujtim të shumë viktimave ai shtroi pyetjen: “edhe sa të krishterë të tjerë, të pafajshëm e fëmijë”?
Për shkak të rrezikut nga terrori Dita Botërore e Rinisë sivjet zhvillohet nën masa të rrepta sigurie. Më shumë se 30.000 forca të policisë, zjarrfikësit, truprojës kufitare dhe shërbimeve sekrete janë mobilizuar në vend, sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme polake. Në këtë kuadër priten të marrin pjesë në këtë event mbi dy milionë vetë.

Tensione me katolikët e Polonisë
Në vizitën e tij pesëditore Papa do të vizitojë edhe ish-kampin gjerman të shfarosjes Auzhvic-Birkenau dhe do të takohet atje me të mbijetuar të Holokaustit. Programi i tij përfshin edhe një vizitë të shkurtër në vendin e pelegrinazhit Çenstohau, ku ndodhet një madonë e zezë, si dhe do të takohet me peshkopët polakë. Në Poloninë me rrënjë të forta katolike Françesku nuk është figurë e padiskutueshme. Ndërsa katolikët polakë konsiderohen si mjaft konservatorë, Papa angazhohet për një kishë më të hapur.