Maskat terror në Shkodër dhe Lezhë, grabitet dhe një turiste

Maskat ushtrojnë terror dhe grabitje në Shkodër dhe Lezhë. Bëhet e ditur se, katër persona të armatosur dhe të maskuar kanë ushtruar dhunë barbare ndaj një çifti të moshuarish në fshatin Zejmen të Lezhës, duke grabitur banesën. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e 27 korrikut, por ditën e djeshme u raportua nga policia.
Dy të moshuarit kanë përjetuar orë tmerri nga dhuna dhe torturat e maskave. Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se, katër persona ende të paidentifikuar, të maskuar dhe të armatosur, kanë hyrë nga dritarja e dhomës së gjumit, dhe kanë mundur të marrin duke dhunuar të moshuarit, disa bizhuteri, 85.000 lekë të rinj dhe 2 mijë euro.
58-vjeçari me inicialet P.P në momentin e ngjarjes ka qenë në gjumë, por është zgjuar nga zhurmat. Njëri nga maskat e ka qëlluar me qytën e automatikut. Më pas është zgjuar edhe bashkëshortja e tij dhe është marrë me forcë nga dhoma e gjumit nga maskat dhe i kanë lidhur të dy të moshuarit. Grabitësit kanë ushtruar dhunë dhe terror ndaj dy të moshuarve, duke iu kërkuar të tregonin se ku i mbanin paratë dhe sendet me vlerë. Të dy të moshuarit janë lënë të lidhur në një dhomë, ndërsa maskat kanë vijuar kontrollin në banesë derisa kanë arritur të gjejnë paratë dhe sendet me vlerë.
Pasi kanë marrë paratë maskat janë larguar qetësisht në drejtim të paditur për policinë. Pas largimit të grabitësve, të moshuarit njoftuan policinë, e cila ende nuk ka rënë në gjurmët e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Po ditën e mërkurë, një turiste e huaj me banim në Madrid është grabitur në Shkodër. Ajo ka bërë denoncim në polici për ngjarjen, por policia nuk ka mundur të gjejë autorët. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia njofton se, 27-vjeçarja E.M., banuese në kryeqytetin spanjoll Madrid, është paraqitur në Komisariatin e Shkodrës një ditë më parë. Ajo ka thënë se rreth orës 09:00 të po asaj dite i kanë vjedhur një portofol me 50.000 lekë, 2 karta identiteti, 2 karta bankash, 1 kartë mjekësore e 1 kartë studenti. Ngjarja ka ndodhur në rrugën Shkodër-Koman te vendi i quajtur “Qafa Laç”, bën me dije policia. Policia thotë se po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, por ndonëse kanë kaluar 48 orë nga grabitja e turistes ende nuk ka asnjë të dyshuar.
Maskat janë kthyer në një tmerr për qytetarët në të gjithë vendin. Para pak ditësh, persona të maskuar dhe të armatosur plagosën me armë një person në kryeqytet dhe i grabitën makinën. Ngjarja e rëndë ndodhi në zonën e Selitës në Tiranë pranë hotel “Dinastia” ku personat e armatosur plagosën drejtuesin e mjetit tip “Benz” ML me targa 515 HM. Pasi e plagosën në këmbë, autorët i grabitën mjetin nën kërcënimin e armës dhe janë larguar me shpejtësi me makinën që i morën shtetasit që lanë të plagosur. Bëhet e ditur, se drejtuesi i automjetit bëri rezistencë dhe për këtë arsye grabitësit e kanë qëlluar me armë zjarri. Grabitësit e kanë lënë në mes të rrugës të plagosurin e mbuluar me gjak. Një grabitje ndodhi para disa ditësh në një treg në Fushë-Krujë, ku dy persona me maska kanë sulmuar me armë zjarri dhe kanë plagosur dy vëllezër tregtarë.

R.POLISI