Kosovë, BERZH mbështet me grante Fondin e Depozitave

Drejtues të Fondit për Sigurimin e Depozitave të Kosovës prezantuan raportin vjetor për vitin 2015, ku shënon edhe fillimin e bashkëpunimit teknik me BERZh për zhvillimin e sistemit për kompensim të depozitorëve. Marrëveshja e grantit me BERZh për zhvillimin dhe implementimin e sistemit të kompensimit të depozitorëve është në vlerë prej 255 mijë e 500 euro me bashkëfinancim nga Fondi për Sigurimin e Depozitave. Kështu theksoi me këtë rast, kryesuesja e Bordit menaxhues të FSDK, Shkendije Hima. Ajo tregoi për rritjen e nivelit të limitit të sigurimit të depozitave në 4 mijë euro nga datë 1 janar i këtij viti,si dhe rritjen e vazhdueshme të totalit të depozitave të siguruara që sipas saj tregon besim të vazhdueshëm publik në sektorin bankar të Kosovës.
Hima tha se në fund të vitit 2015, totali i depozitave ka arritur në 2 miliardë e 500 milionë euro. Ministri i Financave, Avdullah Hoti duke folur për rëndësinë e këtij Fondi, tha se është i kënaqur me rritjen e limitit të depozitave në vlerë prej 4 mijë euro sa ishte 3 mijë euro. Hoti ka vlerësuar lartë mbështetjen e FSDK nga ana e BERZh dhe premtoi se ky fond do të ketë mbështetjen e vazhdueshme edhe nga Qeveria e Kosovës. Niveli i limitit të depozitave nga viti 2018 do të rritet në vlerë prej 5 mijë euro.