Kosova vend strategjik për investitorët potencialë nga India

“Kosova është vendi më i mirë strategjik për investitorët potencialë nga India”, ka thënë për Radio Kosovën, kryetari i Odës Indo-Kosovare, Anil Mishra. Sipas tij, mungesa e marrëdhënieve diplomatike po pengon ardhjen e investitorëve indianë në Kosovë.
India, sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, është ekonomia e shtatë në botë, për sa i përket shkëmbimeve tregtare. Afaristët nga India shëtisin nëpër botë për të kërkuar tregje të reja për investime, thotë kryetari i Odës Indo-Kosovare, Anil Mishra. Sipas tij, Kosova është vend ideal për t’i tërhequr ata investitorë potencialë.
“Kosova është vendi më i mirë strategjik për investitorët potencialë indianë, për çdo lloj investimesh. Sepse është shumë afër Evropës Perëndimore, prandaj investitorët të cilët duan të kenë treg në BE, ky vend është më i miri për ta”, tha ai.
Ai thotë se nëse cilido afarist nga India dëshiron të hapë fabrikë në Indi, atë mund të bëjë në Kosovë me shpenzime të njëjta.
“Sistemi tatimor është i mirë dhe ju keni gjithashtu fuqi të lirë punëtore. Kemi shumë fabrika në Indi që prodhojnë auto pjesë për kompanitë evropiane, transporti është nga India për në Europë që merr shumë kohë dhe ka kosto. Andaj nëse ato prodhohen në Kosovë, do të ishte më e leverdishme”, tha ai.
Një tjetër mundësi sipas tij janë agroprodhimet, sikur mishi i pulës apo mishra e tjerë, të cilat është vështirë të sillen nga India apo Azia për në Evropë.
“Andaj ata prodhues janë shumë të interesuar të vijnë këtu, sepse kanë treg të gjerë në Evropë. Unë njoh shumë njerëz dhe kam marrë kërkesa nga shumë afaristë nga India”.
Kryetari i Odës Indo-Kosovare thotë se indianët sot zotërojnë kompani të fuqishme botërore.
“Për shembull, ‘Jaguari’ e ‘Landroveri’ janë në pronësi të kompanisë indiane. Apo kompania automobilistike ‘Tata’ është punëdhënësi më i madh në Angli. Mendoj se për fillim është e mjaftueshme të fillohet me diçka këtu”.
Por problemi i vetëm sipas tij është mungesa e marrëdhënieve diplomatike në mes të Kosovës e Indisë. Sipas tij, India nuk ka arsye për të mos e njohur Republikën e Kosovës. Veçse, duhet angazhim pak më i madh edhe nga institucionet e Kosovës.