Eksportet në pikiatë, thellohet rënia me 7.8% në janar-qershor

Eksportet kanë thelluar trendin rënës për 6-mujorin, duke u tkurrur me 7.8% në janar-qershor në raport me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, sipas të dhënave të INSTAT, për të arritur në 117.6 miliardë lekë nga 127.4 miliardë lekë një vit më parë. Efektin kryesor në këtë tendencë rënëse ka vijuar ta japë grupi i “mineraleve, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike”, që u tkurr me 44% në 20 miliardë lekë. Ndonëse çmimet e naftës e kanë marrë veten duke qenë afër 50 dollarëshit në qershor, nga nën 30 dollarë që zbritën në janar, aktorët e tregut pohojnë se nafta shqiptare është bërë e papreferuar për shkak të cilësisë së dobët të saj (nafta shqiptare është e rëndë dhe shitet me skonto rreth 70% të Brent dhe kur ishte çmimi i lartë kishte interes ta blije pasi zbritja ishte e lartë, tashmë tregu i huaj nuk ka shumë interes ta tërheqë atë). Një tjetër faktor që ka ndikuar në rënien e eksporteve të këtij grupi është dhe ndërprerja e punës në javën e parë të qershorit nga Bankers Petroleum, prodhuesi më i madh i naftës në vend, për shkak të bllokimit të portit të Petrolifera. Në qershor, eksportet e këtij grupi u tkurrën me 32%. Në rënie të fortë janë dhe “materialet e ndërtimit dhe metalet”, që u tkurrën me 26% për 6-mujorin në 14.8 miliardë lekë, duke reflektuar mbylljen e kompanisë së prodhimit të çelikut, “Kurum”. “Mineralet, lëndët djegëse dhe energjia” dhe “materialet e ndërtimit e metalet”, janë përkatësisht grupi i dytë dhe i tretë më i madh i eksportuar në vend dhe që nuk po arrijnë të ngrenë kokë përgjatë këtij viti. Eksportet po mbahen në këmbë nga “tekstilet dhe këpucët”, që u rritën me 22.7% për 6-mujorin dhe kanë kaluar në grupin më të madh të eksportuar në vend, me 45% të totalit. Për qershorin, ky sektor ka ngadalësuar rritjen duke u zgjeruar me 16% (më ulët se mesatarja e 6-mujorit). Aktorët e tregut pohojnë se ndonëse kërkesa nga partnerët italianë është e madhe, rritja e kostove (nga taksat dhe energjia) po i bën ata jo konkurrues. Ecuri pozitive po vijojnë të kenë eksportet e “pijeve ushqimore e duhanit”, që janë rritur me 29.4%. Grupet e “Makineri, pajisje dhe pjesë këmbimi” dhe “Prodhime druri dhe letre”, që deri një vit më parë rriteshin me ritme dyshifrore kanë rënë përkatësisht me 12.3% dhe 5.4%.

Bien remitancat, ekonomia mbahet nga investimet private dhe të huaja

Vite më parë të ardhurat nga remitancat luanin një rol kyç në ekonominë e vendit, ndërsa sot këto të ardhura janë ulur ndjeshëm dhe kjo si rezultat i shkëputjes graduale të lidhjeve mes emigrantëve që kanë ndërtuar jetën e tyre jashtë dhe Shqipërisë, por edhe të zhvillimeve dinamike që njeh gjeoekonomia. Sipas Bankës së Shqipërisë, në muajt e parë të vitit, ky tregues shënoi vlerën e 128 milionë eurove ose 10% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nisur nga kontributi real i sektorëve në ekonomi, rezulton se, rritja ekonomike më parë ka qenë kryesisht e mbështetur te konsumi, remitancat dhe importet dhe jo te prodhimi, investimet dhe eksportet. Pra, sipas ekspertëve ky model ka qenë më shumë me natyrë sasiore ekstensive, sesa rritje ekonomike cilësore, që buron nga sektorë e aktivitete me eficencë të lartë dhe teknologji e inovacione moderne. Ndërsa sot theksojnë ata, një tjetër burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare, rezulton të jenë investimet private dhe ato të huaja direkte.

A.Shahini