Tuchel vendos për Aubameyang

Trajneri i Borussia Dortmundit, Thomas Tuchel ka thënë se sulmuesi Pierre-Emerick Aubameyang nuk do të largohet gjatë kësaj vere. Ai tha se, Aubameyang ka një kontratë afatgjatë dhe nuk është në situatë të njëjtë sikurse ishin Hummels, Gundogan dhe Mkhitaryan të cilët kishin vetëm edhe nga një vit kontratë.
“Jam plotësisht i bindur, se Aubameyang nuk do të largohet. Ne kemi kontratë afatgjatë me të dhe është situatë krejtësisht ndryshe nga ajo e Hummels, Gundogan dhe Mkhitaryan”, tha Tuchel gjatë konferencës për media. Për Aubameyang lanë shprehur interesim shumë skuadra të mëdha, ndër to Real Madrid dhe Manchester City.
Aubameyang ka mohuar se ka thënë për ZDF, se Real Madrid është e vetmja skuadër tek e cila dëshiron të luaj. Ai tha se, nuk e di se nga kanë dalë këto fjalë dhe insiston se ka thënë se Real Madrid ka qenë vetëm ëndërr e tij e fëmijërisë dhe asgjë më shumë. “Përshëndetje gazetarë. Vetëm dua të jem i qartë. Jam duke e lexuar çdo kund diçka, të cilën unë nuk e kam thënë, “vetëm Real Madrid mund të më largojë nga Dortmund”. Nuk e di kush po i transformon fjalët e mia, por jam i mërzitur se çdo kush po shkruan çka po dëshiron. Unë jam lojtar i Dortmundin dhe në çdo intervistë kam qenë i sinqertë, duke thënë se ishte ëndërr e fëmijërisë, por asgjë më shumë. Faleminderit”, ka shkruar Aubameyang në Twitter.