Ballina Ekonomi Taksa 10 euro, PD do anulojë koncesionin e dyshimtë për rrugën Durrës-Kukës

Taksa 10 euro, PD do anulojë koncesionin e dyshimtë për rrugën Durrës-Kukës

Partia Demokratike paralajmëroi dje se do të anulojë koncesionin për taksën e re të rrugës Durrës-Kukës. Përmes një deklarate për mediat, deputetja demokrate, Jorida Tabaku deklaroi se skandali është edhe më i madh kur qeveria ka vendosur që koncesionin t’ia japë kompanisë që ofroi ofertën me 33% më shumë në krahasim me të tjerat. Tabaku sqaroi me shifra vjedhjen ndaj qytetarëve përmes këtij koncesioni të dyshimtë. “Edi Rama ka vendosur një taksë të re e të rëndë mbi shqiptarët, duke u marrë 10 euro për çdo udhëtim në Rrugën e Kombit. 10 euro, para që do të merren nga xhepat e lodhur e të varfër të qytetarëve të vendit. 5 euro në vajtje e 5 euro në kthim. Ky skandal thellohet edhe më shumë, kur del në pah se qeveria ka vendosur këtë nivel takse, 33 për qind më të lartë se niveli maksimal që kanë sugjeruar ekspertët. Sipas strategjisë, pagesa për Rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa e përballueshme për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 euro për të gjithë distancën. Mirëpo Edi Rama e caktoi 5 euro! Të paktën 33% më shumë se çmimi maksimal i sugjeruar nga ekspertët”, u shpreh Tabaku në fjalën e saj. Ajo e cilësoi koncesionin një aferë e pastër me miliona euro çdo vit, një barrë e re e vendosur në kurrizin e shqiptarëve, sipas skemës së qeverisë për 30 vite me radhë, në emër të mirëmbajtjes së rrugës, kjo shtuar subvencionit prej 5,6 milionë euro çdo vit që do të japë shteti. “Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë, për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?! Përpara se të merrej ky vendim duhej bërë një analizë e plotë, shterruese dhe shumë serioze e kosto-përfitimeve, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm, kur dihet se turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet shqiptare. Partia Demokratike i siguron qytetarët shqiptarë se do ta anulojë këtë koncesion të dyshimtë, këtë taksë të papërballueshme për jetën e tyre”, u shpreh deputetja demokrate. Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nëpërmjet një statusi në Facebook, ka publikuar një tabelë të ekspertëve ndërkombëtarë të pajtuar nga vetë qeveria, për referencat e koncesionit të Rrugës së Kombit. Në këtë tabelë duket qartë se grupi i ekspertëve ndërkombëtarë i ka sugjeruar në mënyrë të argumentuar Ministrisë së Transporteve çmimet normale që do të përfitonte koncesionari, sipas çdo segmenti rrugor dhe dendësisë së trafikut. Por duket se qeveria e ka pasur të paracaktuar kontratën dhe çmimin e këtij koncesioni gjigant. “Rruga e Kombit me pagesë! Ministria e Transportit njoftoi që një kompani turke do të bëjë mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit duke vendosur një pagesë për mjetet që do të qarkullojnë në këtë rrugë. Të gjitha gazetat dhe mediat online pak kohë më parë publikuan faktin që po zhvillohej një strategji për dhënien e rrugëve me koncesion. Ministri deklaroi se kjo strategji do të ndiqej me përpikmëri dhe do të ishte baza për përcaktimin e çmimit. Sipas tabelës së kësaj strategjie pagesa për Rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 euro për të gjithë distancën. Ministria njoftoi që pagesa do të jetë 5 euro! Mirë që po vendosin pagesë në arterien kryesore të vendit ku trafiku vjetor llogaritet në 11000 automjete, por kjo po bëhet dhe me të paktën 33% më shumë se çmimi i sugjeruar nga ekspertët! Siç duket premtimet për një treg të vetëm me Kosovën, për lehtësira e bashkëpunim në rritje ishin thjesht propagandë që filloi e mbaroi me një mbledhje të vetme qeverie!”, shkruan Tabaku.

Shoqatat e biznesit kundër koncesionit të rrugës Durrës-Kukës

Jo pak por 1.4 milion euro në vit do iu merren banorëve të Qarkut të Kukësit nga koncesionari, i cili tashmë është përcaktuar nga Ministria e Transporteve për Rrugën e Kombit. Ky është konkluzioni që është nxjerrë nga ekspertë të fushës në Kukës, të cilët përmes shoqatës “Biznesi për Biznesin” kanë kundërshtuar me forcë dhënien me koncesion të kësaj rruge, e cila që nga viti 2009 është konsideruar si arteria kryesore që shkurton distancën mes Kukësit dhe Tiranës, por ishte kthyer edhe në një arterie shumë të rëndësishme të lidhjes së Shqipërisë me Kosovën dhe vendet e tjera të rajonit. Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, kjo shoqatë i bën apel qeverisë dhe Ministrisë së Transporteve që të përjashtojë banorët e Qarkut të Kukësit nga kjo pagesë, pasi Kukësi nuk e meriton një penalizim, siç e quajnë ata dhënien e Rrugës së Kombit me pagesë. Sipas ekspertëve, dhënia me koncesion e kësaj rruge do të varfërojë akoma më shumë banorët e Kukësit, Hasit e Tropojës ndërkohë që i bëhet thirrje banorëve që të kundërshtojnë me forcë pagesën e kësaj takse që pritet të vendoset në zbatim në pranverën e vitit të ardhshëm. “Koncesioni i Rrugës së Kombit dhe ndikimi në ekonominë e varfër të rajonit të Kukësit. Pas njohjes me tarifat që do të aplikohen në Rrugën e Kombit, shoqata “Biznesi për Biznesin” bëri një matje në rrugë. Në dy orare të ndryshme trafiku, u numëruan sasia e mjeteve me targa të Shqipërisë, kryesisht nga rajoni i Kukësit, që lëviznin në njërin drejtim të rrugës (saktësisht nga Kukësi për Tiranë) dhe na rezultoi se në orën e parë 08:00–09:00 kaluan 31 mjete, ndërsa në orën e dytë 16:00–17:00, kaluan 28 mjete. Po të nxjerrim një mesatare matematikore, kemi 29.5 mjete ose për lehtësi llogaritje 30 mjete në orë. Nëse këtë orar kur ne kemi bërë matjet e llogarisim si orar piku, atëherë do të parashikojmë se në 10 orë piku lëvizje do të kemi 30 x 10 = 300 mjete. Në pjesën tjetër, pra në 14 orët e mbetura, referuar informacioneve që ne morëm për lëvizjet në total, mund të llogarisim se do të lëvizin edhe 100 mjete të tjera, që nënkupton se, mesatarisht në këtë aks, në njërin drejtim lëvizin afërsisht 400 mjete në ditë nga Kukësi për Tiranë”.

A.Shahini

Exit mobile version