Skandali i restaurimeve, Kumbaro i jep një kompanie 600 mijë dollarë pa garë

Përmes dy procedurave të dyshimta, Ministria e Kulturës i ka dhënë një kompanie private rreth 73 milionë lekë ose mbi 610 mijë dollarë pa garë për të kryer restaurimet e dy monumenteve të kulturës.  “Syri.net” zbardh dokumentet, se si ministria e drejtuar nga Mirela Kumbaro ka përzgjedhur fituese kompaninë “Leon Konstruksion” në të dy rastet, pa asnjë rivale tjetër dhe me vlerë kontrate mbi 99% e fondit limit. Procedura e parë ka qenë plotësisht e mbyllur, me negocim pa shpallje paraprake të njoftimi të kontratës. Objekti i prokurimit ka qenë “Sistemi i dezifektimit, konservimit dhe i ruajtjes së ikonave në Muzeun e Artit Mesjetar” në Korçë. Sipas dokumenteve të Agjencisë së Prokurimit Publik, fondi limit i vënë në dispozicion për këtë prokurim ka qenë 39.7 milionë lekë. Në datën 27 qershor Ministria e Kulturës ka nënshkruar kontratën me kompaninë “Leons Konstruksion” për një vlerë prej 39.5 milionë lekë, pra sa 99.5 për qind e fondit limit. Por ky nuk është prokurimi i vetëm i dyshimtë, që Ministria e Kulturës ka realizuar së fundmi. Një tjetër është edhe ai me objekt “Rindërtimin e banesës ku u ngrit flamuri i Republikës së Korçës” me vlerë 33.5 milionë lekë. Edhe pse kjo procedurë ka qenë me tender, sërish nuk ka patur garë. Sipas dokumenteve nga Agjencia e Prokurimeve Publike, në tender kanë marrë pjesë dy kompani; “Leon Konstruksion” dhe “Shëndelli”, por kjo e fundit nuk ka dorëzuar fare ofertë ekonomike. Kjo ka bërë që edhe në këtë rast Ministria e Kulturës të shpallë sërish fituese pa garë kompaninë “Leon Konstruksion” të tenderit 33.5 milionë lekë. Të dhënat zyrtare nga vetë Agjencia e Prokurimeve Publike tregojnë se vitin e kaluar tenderat pa garë u rritën me 30 për qind duke lëshuar alarmin tek ekspertët për abuzime masive me paratë e taksapaguesve.