Shullazi, një nga vrasësit e Çollakut, Prokuroria i kërkon gjak për AND-në

Prokuroria ka ngritur dyshime se Emiljano Shullazi është një nga ekzekutorët e Gazmend Çollakut. Bëhet e ditur se, prokurorët që po hetojnë vrasjen e Gazmend Çollakut kanë kërkuar që Shullazit t’i merret një kampion gjaku për t’u analizuar. Ekspertët mjeko-ligjorë do të krahasojnë ADN-në e Shullazit me ADN-në e gjakut që u gjet në makinën e ish-policit Ervin Dalipaj. Me këtë makinë u mor peng Gazmend Çollaku, rreth 6 muaj më parë.
Para se të ekzekutohej në Murqan të Krujës, viktima u lidh dhe u keqtrajtua. Në makinë u gjetën edhe njolla gjaku që mendohet se i përkisnin pengmarrësve. ADN do të krahasohet, pasi hetuesit dyshojnë se Emiljano Shullazi ishte në makinën e pengmarrësve. ABC News raporton se, Emiljano Shullazi është treguar i gatshëm të japë gjak për të mundësuar analizat. Për rrëmbimin dhe vrasjen e Gazmend Çollakut në Durrës mbetet në qeli Denis Shtraza, i dyshuar si njëri nga rrëmbyesit.
Shullazi u arrestua në mesin e majit prill të këtij viti, pas terrorit dhe kërcënimeve ndaj profesorit Mynyr Koni dhe rektorit Dhori Kule, për t’u tërhequr nga gara për Rektor të Universitetit të Tiranës në mënyrë që t’i hapej rrugë kandidates së Ramës, Klodeta Dibra. Denoncimi për kërcënimin u bë nga ish-kryeministri Berisha më 16 prill të këtij viti, teksa po zhvillohej fushata për zgjedhjet universitare. Aktualisht Shullazi, kushëriri i tij Blerimi si dhe Gilmando Dani janë prapa hekurave të akuzuar për gjobvënie dhe disa vepra penale.
Burime pranë organit të akuzës kanë bërë të ditur se, Emiljano Shullazi ështëi dyshuar për 6 vepra penale, më e rënda pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal e më pas gjobëvënie, trafik droge, shkatërrim prone me eksploziv, kanosje për shkak të detyrës dhe armëmbajtje pa leje.
Prokuroria thotë se, ka të dhëna se Shullazi bashkë me persona të tjerë të paidentifikuar kanë kërcënuar për t’ju marrë pasurinë 4 biznesmenëve të njohur. Po sipas prokurorisë, të tre të ndaluarit po bëjnë përpjekje të provatizojnë parkun sportiv në Durrës. Përmes kanosjes dhe dhunës fizike, sipas organit të akuzës, të dyshuarit kanë regjistruar ish-hotel Vollgën, e meqenëse prona në fjalë kishte probleme me dokumentacionin, dyshohet se është ushtruar dhunë edhe ndaj kryeregjistruesit të Durresit dhe dy punonjësve të Zyrës së Regjistrimit të Pasurive në Durrës e Tiranë. Me të njëjtën metodë, dyshohet se Shullazi me dhe bashkëpunëtorët e tij kanë përfituar edhe një pronë tjetër në kryeqytet për të cilën po hetohet.
Hetimet e kryera nga Prokuroria kanë zbuluar se banda e Emiljano Shullazit rezulton me aktivitete kriminale në disa rrethe të vendit. Prokuroria e Krimeve të Rënda po bashkon të gjitha dosjet, ku është përmendur emri i të dyshuarit vitet e fundit. Të gjitha kallëzimet apo informacionet që janë siguruar për grupin e Emiljano Shullazit, do t’i bashkohen dosjes, të cilët po heton Prokuroria për Krimet e Rënda. Mësohet se aktiviteti i tre të arrestuarve ishte i shtrirë edhe jashtë Tiranës, ku sipas informacioneve janë shantazhuar disa biznesmenë.
Grupi i hetimit shtoi se, kallëzimit të një gruaje në Tiranë për përvetësimin e biznesit të saj pranë ish-kafe “Florës” i është bashkëngjitur edhe një dosje tjetër nën hetim prej pak muajsh te Krimet e Rënda për një gjobë të vënë ndaj një biznesmeni nga Lushnja. Në këtë kallëzim të marrë në fillim të vitit, një biznesmen nga Lushnja ka njoftuar se, Shullazi e kishte kërkuar në takim gjatë muajit shkurt, ndërsa ai nuk ka pranuar. Nga dëshmia e një punonjësi të tij është kuptuar se, personi i prezantuar si Emiljano kishte qëndruar pranë biznesit të kallëzuesit në afërsi të Lushnjës.

R.POLISI