Sejko me drejtorin e BERZH: Ja sfidat e ekonomisë shqiptare

Në takimin që guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, zhvilloi me presidentin e Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Sir Suma guvernatori u ndal në trajtimin e sfidave kryesore me të cilat përballet ekonomia shqiptare, kuadrin e politikave makroekonomike dhe reformave strukturore të nevojshme për të nxitur rritjen ekonomike, për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të thithur sa më shumë investime të huaja në Shqipëri.
Guvernatori theksoi se rritja ekonomike e vendit është në një trajektore pozitive zhvillimi. Rritja ekonomike pritet të vijë në përmirësim dhe balancat kryesore ekonomike do të forcohen gjatë viteve të ardhshme.
Për sa i përket sistemit bankar, guvernatori theksoi se sot sistemi shfaqet me tregues mjaft të mirë financiar. Guvernatori Sejko nënvizoi se trajtimi i çështjes së kredive me probleme ka qenë një ndër angazhimet kryesore të Bankës së Shqipërisë, e shoqëruar me një plan veprimi të mirëmenduar për reduktimin e tyre, ku përfshihen një sërë përmirësimesh ligjore, fiskale dhe rregullatore. Zbatimi i këtij plani ndihmoi në zbritjen e nivelit të kredive me probleme në 18.2 %, në fund të vitit 2015.
Një tjetër çështje me rëndësi e diskutuar gjatë bisedimeve ishte dhe nxitja e kreditimit dhe masat e marra mbështetur nga politika monetare stimuluese, e cila ka dhënë efektet e saj duke ndikuar në uljen e çmimit të kredisë, në të gjitha segmentet e tregut financiar në vend.
Nga ana e tij, z. Chakrabarti vlerësoi Bankën e Shqipërisë për politikat e ndërmarra prej saj, të cilat kanë kontribuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit dhe konsolidimin e vazhdueshëm të sistemit financiar në Shqipëri. Më tej z. Chakrabarti u shpreh se Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të vazhdojë të japë kontributin e saj në Shqipëri lidhur me projekte të rëndësisë së veçantë, në fusha të tilla si: agrobiznesi, infrastruktura, energjia etj., me qëllim zhvillimin e sektorit publik edhe atij privat. Në përfundim, ai shprehu angazhimin për të vazhduar bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë mbi përforcimin e sektorit financiar nëpërmjet mbështetjes së sistemit bankar përmes linjave të kreditimit dhe lehtësirave të tjera.
Në përfundim, guvernatori Sejko falënderoi dhe një herë BERZH-in për kontributin e rëndësishëm dhe mbështetjen konkrete me investime financiare në fusha kyçe të ekonomisë së vendit tonë dhe e ftoi të vazhdojë të vlerësojë potencialet që ofron Shqipëria.