Policia dhunon 70-vjeçarin dhe e nxjerr zvarrë nga shtëpia e tij

Kryeministri Rama nuk lë rast pa lavdëruar policinë dhe ministrin e Brendshëm, por së fundi në rrjetet sociale po qarkullon një video, kur shihen “çunat” e Tahirit duke dhunuar një burrë të moshuar. Madje për këtë video ka reaguar edhe Partia Demokratike. Sipas PD, i moshuari që thotë se është invalid, nxirret me dhuna nga banesa e tij në mes të ditës nga Policia. “Vetëm pak minuta pasi Edi Rama shpalli sa krenar ishte për policinë e tij, dhe foli për revolucionin e madh, një karvan i uniformave të tij jo vetëm eci përpara, por nxori me dhunë nga banesa e tërhoqi zvarrë një 70-¬vjeçar në mes të ditës në Tiranë.
70¬-vjeçari, në videon që po qarkullon në gjithë mediat, dëgjohet teksa thotë se është invalid. Ai u bën thirrje ta lëshojnë, dhe shpreh indinjatën për dhunën e 20 policëve ndaj një të moshuari. Kjo video është dëshmia e policisë së Tahirit dhe Edi Ramës, që nën drejtimin e tyre dhunon një 70- vjeçar invalid, ndërkohë që lejon drogën të pushtojë vendin e u shërben bosëve të trafikut. Kjo është policia e Tahirit që sulmon në mënyrë primitive qytetarët, e ndërkohë flak në rrugë 7 oficerë që prekin pa dashje kunatin e ministrit.
Krerët e policisë së Tahirit janë sekserët e kanabisit. Krerët e policisë së Tahirit janë në shërbim të habilajve, të Balilit, të Shullazit, të bandave e trafikantëve. Partia Demokratike vlerëson punën dhe përkushtimin e shumë burrave e grave në uniformë. Koha po vjen që ata të drejtohen nga ligji e interesi publik e jo nga krimi e interesat e tij. Partia Demokratike do të shtypë krimin e trafiqet, do të vendosë dinjitetin e policisë në vendin që meriton, dhe do të garantojë sigurinë e qytetarëve e paprekshmërinë e tyre”, thuhet në reagimin e PD.
Këto pamje vijnë vetëm pak kohë pas aktivitetit ku kryeministri Rama dhe ministri i Brendshëm Tahiri, prezantuan projektin e ri të furnizimit me kartë elektronike të automjeteve të policisë, duke numëruar arritjet në tre vjet pushtet. Ndër të tjera Rama tha se, puna në polici është histori e sigurtë suksesi të qëndrueshëm dhe u adresoi akuzuesve dhe kritikëve shprehjen “qentë le të lehin, karvani të shkojë përpara”.
Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale në internet duket qartë se si, forcat Shqiponja kanë ndërhyrë për të nxjerrë me dhunë të moshuarin nga banesa e tij. Ngjarjet nuk janë duke ndodhur në ndonjë zonë të thellë apo të fshehur, por në mes të ditës, në fund të rrugës “Jordan Misja”, tek shinat e trenit në Tiranë.
Siç tregon raportuesi pranë “Jetaoshqef.al”, burrit do t’i prishin shtëpinë pasi aty pritet të kalojë në projekt i ri për ndërtimin e një rruge të re në Tiranë, që me shumë mundësi Erion Veliaj ose Edi Rama kanë për ta përmendur si arritjen e tyre të radhës. Kuptohet, siç ndodh në të tilla raste, qytetari që ka hedhur mundin e djersën e një jete të tërë në këtë banesë nuk ka për të marrë asnjë dëmshpërblim dhe normalisht që vuajtjet e tij nuk do të përmenden bashkë me suksesin e qeverisë.
Në video shikohet teksa forcat Shqiponja ngrenë krahë e kofshë të moshuarin, i cili dëgjohet të thotë me zë të ngjirur: “Po 20 burra me një plak merreni? Po nuk keni turp? Po nuk keni turp ore? 20 polic me një plak 70-vjeçar”. Dhe me të vërtetë është për të ardhur turp!