Kush jeni ju!

Edison YPI

Ju ishit skllevër, por hiqeshit të lirë.
Ju jeni të lirë, por ankoheni si skllevër.
Ju mbaheshit për trima, por dridheshit nga frika.
Ju hiqeshit të ndershëm, por s’latë bijë dhe kushurirë pa e shitur sapo ju thanë se kushton sa një lopë.
Ju ishit të uritur, por mbaheshit për të ngopur.
Jo ishit lakuriq, por mbaheshit për të veshur.
Ju votoni, por të zgjedhurit nuk i respektoni.
Ju votoheni, por për zgjedhësit nuk doni t’ja dini.
Ju, s’kishit libra, por lexonit.
Ju keni libra, por lexoni “Aventurat e Noc Rrokut”.
Ju nuk kishit televizion, por shihnit filma.
Ju keni televizione, por nuk shihni filma.
Ju s’kishit makina, por kishit qef të udhëtonit.
Ju keni makina, por nervi i udhëtimeve j’u ka ngordhur.
Ju Shqipërinë e vrasësve e donit.
Ju nuk e doni Shqipërinë e të gjithëve.
Ju Kosovën ua çliroi NATO, por ua zaptoi mafia.
Ju Maqedoninë perëndimore ua keni lënë ta bëjnë çorap politikanët llafazanë dhe hajdutë.
Ju refuzoni taksat, por doni makinën të vijë t’u marri plehrat, të asfaltohen rrugët rrugicat, dhe të gjitha lehtësirat e tjera.
Ju e ndihmoni partinë të vijë në pushtet vetëm për interes.
Ju, kur jeni shitësa nuk ja vini çmimin mallit.
Ju kur jeni blerësa revoltoheni për çmimin që mungon.
Ju, kur jeni hallexhinj, bërtisni kundër korrupsionit.
Ju kur bëheni nëpunësa shndrroheni në të korruptuar të heshtur.
Ju kur jeni fukarenj dhe shihni ndonjërin që pasurohet, j’u lind dëshira ta vrisni.
Ju kur fitoni dhe majmeni, fukarenjtë i urreni.
Ju bëni mirë punët e liga.
Ju bëni keq punët e mira.
Ju keni mbi kokë qiell dhe kaltërsi, por nuk ngrini kryet t’i shihni.
Ju keni histori, por përtoni ta njihni.
Ju keni gjeografi, por nuk doni ta shkelni.
Ju keni fshatra si ëndërra, por refuzoni t’i vizitoni.
Ju keni pyje të magjishëm, por i prisni.
Ju keni njerëz të ditur dhe të ndershëm, por nuk i afroni.
Ju keni miq që j’u duan, por i refuzoni.
Ju keni ligje moderne, por nuk i respektoni.