Korrupsioni me tenderat, arrestohet ish-drejtori i Uzinës Ushtarake

Ish-drejtori i Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës të Elbasanit është vënë në pranga. Daniel Karanxha ishte i shpallur në kërkim për akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”. Daniel Karanxha 64 vjeç, banues në Elbasan, ish-drejtor në Uzinën e Lëndëve Plasëse Mjekës Elbasan.
Ky shtetas, u ndalua nga efektivat e policisë, pasi Gjykata e Rrethit Gjykësor Elbasan, me vendim penal, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Shpërdorim detyre” dhe “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.
Disa ditë më parë (14 korrik) katër zyrtarë të tjerë të po kësaj Uzine përfunduan në prangat e policisë, të akuzuar po për këtë vepër penale, ndërsa ish-drejtori i arrestuar sot ishte shpallur në kërkim.
Ata akuzohen se kanë shpërdoruar detyrën për zhvillimin e tenderit për “Shitje skrapi dhe lëndëve plasëse TNT”, procedurat e tenderimit “Koncerti i trashëgimisë kulturore shqiptare” si dhe sponsorizime të tjera të kryera nga Uzina e Lëndëve Plasëse Mjekës.