Dy italianë torturojnë në karrige elektrike shqiptarin për një motor

Një shqiptar 32-vjeçar është torturuar për disa orë nga dy italianë, në ishullin e Rodosit në Greqi. Mediat greke bënë të ditur se, një 40-vjeçar italian dhe nipi i tij 29-vjeçar, u arrestua nga policia greke për tentativë vrasje si dhe posedim të armëve. Ndaj tyre u caktua masa e sigurisë së arrestit me burg, pasi u arrestuan të hënën që lamë pas për torturimin e një 32-vjeçari shqiptar.
Ngjarja ka ndodhur në ishullin grek të Rodosit, ku dy italianët, pasi kishin lidhur shqiptarin në një karrige, e kanë goditur atë me shkarkesa elektrike si dhe duke e goditur me thika.
Italiani dhe nipi i tij e kanë kërcënuar shqiptarin edhe me një sopatë. Pas goditjeve të shumta, 32- vjeçari ka rënë pa ndjenja në tokë. Kur është zgjuar, ai ka mundur të largohet dhe të përfundojë në Spitalin e Rodosit për shkak të plagëve të shumta. Mjekët kanë konstatuar shumë plagë në trupin dhe organet e shqiptarit. Ai ka bërë denoncim në polici, duke rrëfyer edhe ngjarjen.
Shkak i konfliktit kishte qenë një motor, ku vëllai i shqiptarit ua kishte shitur italianëve që jetonin në Athinë. Çmimi i shitjes ishte 4 mijë euro, ndërsa fillimisht do të jepeshin 2500 euro dhe pjesa tjetër do të paguhej me këste. Marrëveshja është bërë gjatë fundvitit të shkuar, ndërsa italiani nuk e kishte paguar shqiptarin sipas marrëveshjes së arritur. Italiani ka kërkuar sërish paratë e dhëna paraprakisht.
Të dielën pasdite, ata e lanë për t’u takuar në një lokal në zonë, ndërsa nipi i italianit priste në një hotel. Thuhet se 40-vjeçari nga Italia ishte përdorues i kokainës dhe është i njohur për policinë greke.
Në vendin e ngjarjes, policia sekuestroi tri thika, një sëpatë, një pajisje elektrike shkarkimi, litar dhe kabllo, ndërsa aty ku jetonin italianët gjeti edhe 16 pilula droge. Dy italianët janë arrestuar të akuzuar për torturë, tentativë vrasje dhe përdorim armësh.