“Çakalli” i San Franciskos

Bledi KASMI

“Williams Mullen” një nga portalet më prestigjioze të avokatisë amerikane të Departamentit të Drejtësisë paralajmëronte të shtunën, zhvillimet e reja të skandalit të financimit të fushatës së Presidentit Obama nga burime të huaja ku është përfshirë direkt Rama. Portali sqaronte se çështja tashmë është një hap më tej dhe se hetimi po përqëndrohet tek burimi i këtij financimi. Dje,  Departamenti i Drejtësisë bënte publike një pjesë të hetimeve më të fundit. Biznesmeni grek, William Argeros, me qendrim në Kaliforni ka ndihmuar në kalimin e 80 mijë dollarëve tek Bilali i Ramës. Duhet parë me kujdes ky përfundim i deritanishëm i hetimit. Nëse më parë dyshohej se Argeros ishte burimi i financimit, tani ai rezulton se është vetëm pjesë e transferimit të parave, po ashtu sikurse edhe Bilali, dhe të dy ata rrezikojnë të njëjtin dënim. Por, ky nuk është krimi më i madh. Hetimi kryesor ka të bëjë me faktin se nga kanë ardhur ato fonde. Deri tani janë gjetur gjurmët, por akoma hetuesit amerikanë nuk kanë mbërthyer gjahun e tyre, “Çakallin” e vërtetë të San Franciskos që është vënë në epiqendër të këtij skandali po njëlloj sikurse edhe “Ujku” i Wall Street-it, Xhordan Belford me të vetmin ndryshim se, ndërsa “Ujku i Wall Street” pastronte paratë e drogës me skemat e biznesit amerikan, “Çakalli i San Franciskos” ka pastruar paratë e drogës me fushatën e një presidenti amerikan dhe kjo është shumë herë më e rëndë. E ndërsa “Ujku” i Wall Street-it përfundoi për vite me rradhë në burg, ende nuk dihet se cili do të jetë fundi i “Çakalli” të San Franciskos që këtë rradhë e ka shumë herë më të vështirë sepse ka luajtur me autoritetin e Presidentit më të fuqishëm të botës dhe ka tentuar të bëjë pis një sistem elektoral që është një simbol për të gjithë botën demokratike. Kjo është edhe arsyeja se përse në këtë hetim janë përfshirë autoritetet më të larta të politikës dhe drejtësisë amerikane. Për ta bërë më të qartë se çfarë rëndësie po i kushtohet këtij procesi gjyqësor mjafton të kujtojmë se paditësi është një kongresemene, dhe në të njëjtën kohë Nënkryetar i Komisionit të Politikës së Jashtme në Kongres. Departamenti i Drejtësisë ka dalë dy herë me deklarata zyrtare për hetimin. Ky Departament ka ngarkuar që hetimet të kryhen në mënyrë të drejtëpërdrejtë nga Prokurori dhe Ndihmësprokurori i Përgjithshëm, Caldwell Fishman. Ky i fundit ka ngarkuar agjentë specialë të FBI-së, nën drejtimin e agjentit të veçantë Timothy Gallagher në New York. Qeveria amerikane thotë se është e përfaqësuar nga ndihmësprokurori Mark J. Mçarren i Prokurorisë Speciale të Divizionit të New Jersey dhe avokatët Charles Walsh dhe Peter Halpern të Divizionit Kriminal të Seksionit të Integritetit Publik. E gjithë hierarkia e drejtësisë amerikane është në këtë proces përballë një aventurieri si Rama që mendon se sistemi kriminal që ai ka ngritur këtu mund të blejë dhe drejtësinë amerikane. Ky hetim është një çështje për demokracinë amerikane.