Bylykbashi: Kërkesa e PS, provokim politik

Nënkryetari i Komisionit për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi ka reaguar pas deklaratës së Kryetarit të Komisionit Fatmir Xhafaj, i cili tha se opozita është e njohur me draftin që në daten 4 korrik. Bylykbashi shprehet se ftesa  per konsensus i nervozon perfaqesuesit e mazhorances. “Lexova sot një reagim të kryetarit të Komisionit të Reformës në Drejtësi. Normalisht dikush do të habitej pse ftesa jonë për konsensus i nervozon përfaqësuesit e mazhorancës. Në fakt “pse”-në e kupton kushdo me arsye; thjesht nuk e duan sepse u prish hesapet që nisën me kohë, por që ua prishën opozita, Komisioni i Venecias, propozimi hibrid i zj. Nuland, letra e komisionerit Hahn dhe votimi me konsensus më 22 korrik.  Opozita është e gatshme të kontribuojë me konsensus, tani! Ekspertët e saj po punojnë me intensitet mbi draftin që kryetari i Komisionit shpërndau vetëm mbrëmë në ora 22:20 të datës 26 korrik, ndërkohë pretendonte të bënte mbledhje sot. Imagjinoni ç’transparencë ka ky proces, transparencën e errësirës, të faktit të kryer dhe afateve ultimative” thekson Bylykbashi.  Ai tha se opozita po punon për të përmbyllur ligjin e Vetting-ut, por citoi Bylykbashi “të pretendosh që Parlamenti mund të miratojë ligjin këtë javë pa hyrë në fuqi amendamentet kushtetuese më datë 11 gusht, është një gafë që as ai që ka mbaruar juridikun pa shkëputje nga puna dhe natën, nuk e bën. Pra, është provokim politik për konsum mediatik. Ftesë: durim, gatishmëri për konsensus, vullnet pozitiv dhe respekt i Kushtetutës! Sa për kujtesë, komisioni ka 5 anëtarë të mazhorancës dhe 5 të opozitës, pra është histori konsensusi dhe jo protagonizmi kryetarësh”. Më herët, Bylykbashi ftoi edhe përmes një letre, Xhafën për të vijuar konsensusin e nisur. “ Kuvendi i Shqipërisë miratoi me konsensus më 22 korrik paketën e ndryshimeve kushtetuese për Reformën në Drejtësi. Votimi unanim përmbylli një proces, i cili për fat të keq në vend të gjithpërfshirjes, konsensusit, vullnetit të mirë dhe mirëbesimit, transparencës dhe ligjitimitetit, u karakterizua nga një qasje arrogante, konfliktuale, përjashtuese, jotransparente, hileqare dhe me një gjuhë denigruese ndaj opozitës. Një qasje e tillë nga ana juaj dhe e z. Rama jo vetëm i kushtoi Shqipërisë pothuaj dy vite të çmuara, por ka lënë gjurmë aspak të shëndetshme në spektrin politik dhe në opinionin publik. Një Kushtetutë që i qëndron kohës duhet t’i ketë themelet vetën në konsensus të shëndetshëm dhe kurrsesi në manovra politike jokorrekte dhe përjashtuese siç ishte qasja që karakterizoi në këtë proces sjelljen tuaj dhe kreut të mazhorancës që përfaqësoni. Miratimi dhe dekretimi i ndryshimeve kushtetuese është një moment që na vë të gjithëve përpara përgjegjësive të mëdha për të vazhduar fazën e re, atë të miratimin të shtatë ligjeve organike dhe mbi 30 ligjeve të tjera që plotësojnë Reformën në Drejtësi, me përgjegjshmëri, gjithpërfshirje, profesionalizëm, konsensus të shëndetshëm dhe transparencë të vërtetë.  Pra, është koha për angazhim dhe jo për vetëkënaqësi, shfaqje apo ceremoni pompoze për një proces që deri më sot nuk nderon forcën që përfaqësoni dhe Kuvendin e Shqipërisë. Opozita dhe ekspertët e saj janë gati të angazhohen në hartimin konsensual të këtyre ligjeve, duke filluar nga ligji për Vetting-un e gjyqtarëve dhe prokurorëve, sigurisht në përputhje me Kushtetutën dhe procedurat që sigurojnë legjitimitetin e reformës. Sa më sipër, urojmë që në vend të festimeve pa mbaruar punën, të ndryshojë rrënjësisht qasja e forcës suaj politike për fazën e re të reformës, e cila do të na japë një Reformë në Drejtësi me legjitimitet përmes transparencës dhe jo fshehtësisë, gjithpërfshirjes dhe jo përjashtimit, komunikimit të sinqertë dhe jo lojës së telefonit të prishur, dialogut dhe jo arrogancës, vullnetit të sinqertë dhe jo manovrave bizantine politike. Kjo është një ftesë për reflektim dhe njëkohësisht garancia për një produkt final për të cilin shqiptarët të ndihen të plotësuar në aspiratën e tyre për drejtësi të pavarur, llogaridhënëse dhe të aftë të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar”.