BERZH, Shqipëria më pak konkurruese në turizëm se rajoni

BERZH publikoi raportin mbi turizmin për rajonin e Europës Juglindore, ku Shqipëria rendit si një nga vendet më pak konkurruese në këtë sektor. Turizmi është burimi i rëndësishëm të ardhurash për vendet e rajonit te Europës Juglindore. Sipas BERZH-it turizmi kontribuon me 10% të të ardhurave ndaj totali të PBB në disa prej vendeve. Në raport nënvizohet fakti se rajoni i Europës Juglindore, është destinacioni më i madh turistik i vendeve që bëjnë pjesë në zonën e BERZH. Në 5 vitet e fundit, prurjet turistike në këtë rajon janë rritur më 15 milionë turistë që nga 2010. Kjo edhe falë vijës bregdetare dhe afërsisë me tregun e Europës perëndimore dhe Rusinë. Në vendet si Shqipëria, Mali i Zi, Kroacia, Bullgaria, Qipro dhe Greqia, prurjet e turistëve kanë kontribuar me më shumë se 5 % të të ardhurave në totalin e PBB.  Sektori i turizmit në Shqipëri kontribuon me 14% të të ardhurave në PBB, renditur pas Malit të Zi dhe Kroacisë.  Konkurrenca në vendet e këtij rajoni është vlerësuar duke përdorur indeksin mbi konkurueshmërinë të Forumit Ekonomik Botëorë. Ky indeks bashkon 90 tregues të vlefshëm për turizmin dhe i grupon ato në këto kategori: 1) klimën e biznesit; 2) politikat mbi turizmin; 3) infrastruktura; 4) burimet natyrore dhe kulturore. Shqipëria renditet e fundit ndër vendet e rajonit me konkureshmërinë më të vogël. Në vende të parë kryeson Greqia, duke u ndjekur nga Kroacia, Qipro, dhe Bullgaria.