Basha: Betejë për zgjedhje të lira

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë Lulzim Basha ndodhet në Filadelfia, i ftuar në kuvendin demokrat. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Basha thekson se 7 ligjet, që lidhen me reformën e drejtësisë në Shqipëri, nuk mund të miratohen tani, pa hyrë në fuqi ndryshimet kushtetuese. Partia Demokratike do t’i ndshqyrtojë projekt-ligjet e ndryshuara dhe më pas do të japë mendimn e saj, tha Basha. Ai akuzoi Partinë Socialiste për “një manovër të qartë politike të tipit që pengoi deri në çastin e fundit konsensusin me Partinë Demokratike”, siç u shpreh ai.

– Z. Basha, siç keni qenë dëshmitar gjatë këtyre ditëve në Filadelfia, zonja Klinton do të jetë e para grua në historinë amerikane që siguron kandidaturën në një parti të madhe, por mendoni se mund të shërbejë pozitivisht ky shembull edhe për Shqipërinë?
Padyshim që ky është një shembull frymëzues për të gjithë botën demokratike e natyrisht edhe për Shqipërinë dhe unë me këtë rast dua ta përgëzoj nga zemra Partinë Demokratike amerikane për këtë zgjedhje me të vërtetë historike të zonjës Klinton, e cila është një shërbyese publike e interesave amerikane, por edhe interesave globale për paqen, lirinë dhe demokracinë anembanë botës. Natyrisht një personalitet me kontribute të jashtëzakonshme për Shqipërinë, për Kosovën, për shqiptarët kudo që janë. Një personalitet me të cilin kam pasur nderin dhe privilegjin që të bashkëpunoj në detyrën time si ministër i Jashtëm për dy çështje madhore të kombit shqiptar: anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe pavarësinë e Kosovës dhe njohjen e pavarësisë së saj. Një bashkëpunim që ka dhënë fryte të jashtëzakonshme. Edhe pas largimit nga detyra si ministër i Jashtëm ruaj komunikimin me ish-sekretaren e Shtetit dhe tashmë kandidaten zyrtare për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillari Klinton dhe padyshim prania ime këtu me këtë rast sjell me vete përveç formaliteteve zyrtare, ftesës që më është bërë, edhe emocionet e jashtëzakonshme të bashkëpunimit dhe të komunikimit që kam patur dhe ruajtur me kandidaten për presidente Hillari Klinton.

– Z. Basha do të donim të flisnim më gjatë për Kuvendin demokrat, por zhvillimet në Shqipëri janë përsëri intensive. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta njoftoi se ndërpreu vizitën në SHBA për të sqaruar, siç u shpreh ai, konfuzionin e krijuar ditët e fundit që kanë të bëjnë me prishjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi. Ju si e konsideroni kërkesën e shumicës për të miratuar me shpejtësi njërin nga 7 ligjet që lidhet me vlerësimin e gjyqtarëve? Dje, disa përfaqësues të PD folën për provokim, ndërsa sot u shprehën të gatshëm, por duke kërkuar që të respektohen procedurat kushtetuese. Pra, pyetja konkrete është: a është e mundur sipas jush që ky ligj të kalojë nesër ose pasnesër?
Absolutisht jo sepse këtë e ndalon Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë. Ky është një komunikim që unë e kam pasur me partnerët tanë amerikanë dhe europianë e do të ishte absurd që ata të mbështesnin nisjen e procesit të Reformës në Drejtësi duke shkelur Kushtetutën e vendit. Por Partia Demokratike ka shprehur gatishmërinë e saj për të nisur punën me ekspertët e saj për të shqyrtuar draftin për Vetting-un në mënyrë që të mos ketë më asnjë vonesë në miratimin e ligjit. Mazhoranca i është përgjigjur kësaj me një hile, e cila tashmë është sqaruar pasi është një fortunë në gotë uji. Pretendohet që drafti ka qenë gati më 4 korrik, ndërkohë që drafti zyrtarisht është përcjellë mbrëmë, dje në orën 22.30. Ne e kemi marrë tashmë në dorëzim. Ekspertët tanë po e shqyrtojnë dhe më pas do të procedohet sipas hapave të nevojshëm. Pra, nuk është gjë tjetër veçse një manovër e qartë politike e tipit që pengoi deri në çastin e fundit konsensusin me Partinë Demokratike, ndonëse PD prej fillimit ishte zotuar për një mbështetje totale të Reformës në Drejtësi sipas vlerave e parimeve perëndimore të mishëruara në rekomandimet e Venecias, në propozimin hibrid të ndihmëssekretares Nuland dhe me vërejtjet e komisionerit Hahn. Por kjo tashmë ka marrë fund. Është pjesë e një historie që duhet të shqyrtohet me kujdes për të parë përgjegjësitë e palëve. Rezultati është historik, me ndryshime kushtetuese unanime nga Kuvendi i Shqipërisë. Shpartallim i një komploti për të përjashtuar opozitën dhe një konsensus, ndonëse u bllokua deri në çastin e fundit, përsëri triumfoi sepse triumfoi vullneti ynë dhe ranë poshtë të gjitha manovrat politike, të cilat kanë qenë prej fillimit pengesa e vetme për të arritur edhe më herët në një konsensus sipas Venecias.

– Të përqendrohemi tek 7 ligjet dytësore. Projektligjet shoqëruese të ndryshimeve kushtetuese kanë qenë gati që përpara dhe madje ato u miratuan edhe në një formë të njëanshme dhe ju vetë u keni bërë thirrje ekspertëve të PD që të fillojnë punën për to. Ndryshimet që ju iu referuat kanë të bëjnë me ndryshimet që lidhen me draftin kushtetues, projektkushtetues që u miratua në Parlament. A keni ju shqetësime të thella ndaj projektligjit që ju e keni marrë në dorë? I duhen bërë ndryshime të mëdha apo jo?
Projektligji na është vënë në dispozicion mbrëmë në orët e vona të natës. Ekspertët tanë po e shqyrtojnë dhe menjëherë në mënyrë transparente do të bëhen të qarta të gjitha sugjerimet dhe kontributi i Partisë Demokratike.

– Sipas jush, projektligji që u është dhënë mbrëmë ka ndryshime të mëdha nga projektligji që u është dhënë më 4 korrik?
Nuk mund t’ua them sepse na është vënë në dispozicion mbrëmë në orët e vona dhe ekspertët tanë do të mbarojnë së shqyrtuari brenda ditës së sotme ose ditën e nesërme. Sapo të jetë shqyrtuar nga ana e ekspertëve tanë të jeni të sigurtë që do të ketë si gjithmonë një komunikim transparent në publik për sugjerimet dhe kontributet tona. Gjithçka në bazë të rekomandimeve të Venecias dhe gjithçka në bazë të rakordimit me partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE.
– Ju në fillim ju referuat afateve kushtetuese në Shqipëri, kam përshtypjen për 2-javorëshin që duhet që të hyjnë në fuqi ndryshimet kushtetuese, pasi ato shpallen në Fletoren Zyrtare. Pra, i bie nga mesi i gushtit diku që ndryshimet kushtetuese të hyjnë në fuqi. A mendoni se do të jeni në gjendje në atë kohë, në mes të gushtit, për të thirrur Parlamentin që të miratoni projektligjet e tjera?
Kjo është një pyetje për kryetarin e Kuvendit dhe mazhorancën, por opozita është e gatshme të sakrifikojë siç ka bërë edhe me pushimet e dimrit, nga ditët e pushimeve zyrtare, për të kontribuar me mish e me shpirt me ekspertizën më të mirë, me sugjerimet më të mira për të përfunduar procesin e Reformës në Drejtësi, duke miratuar ligjet me konsensus, siç është rënë dakord përmes partnerëve tanë me mazhorancën. E rëndësishme është që mazhoranca të mos i bishtojë përsëri këtij detyrimi për të punuar me konsensus dhe të mos punojë me hile, por të punojë me transparencë dhe vullnet për t’i dhënë shqiptarëve ligje të miratuara me konsensus. PD ka marrë dhe do të marrë përgjegjësinë e saj. Absolutisht po.

– A shikoni në këto momente shenja të fillimit të një tensioni siç u vu re me ndryshimet kushtetuese apo procesi do të jetë më i butë këtë herë, duke patur parasysh dhe marrëveshjet dhe koordinimin e mirë të punës që u arrit për ndryshimet e thella kushtetuese?
Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin, nga të njëjtët që projektuan tensionin dhe përjashtimin e opozitës nga procesi. Jam i sigurt që ata që dështuan në këtë projekt në rrafshin kushtetues do të dështojnë nëse përpiqen të bëjnë të njëjtën gjë në rrafshin ligjor. Partia Demokratike është e vendosur t’iu japë shqiptarëve një Reformë në Drejtësi sipas standardeve europiano-perëndimore, sipas standardeve amerikane. Kjo ka qenë beteja jonë prej fillimit. Ne nuk kemi patur asnjëherë, asnjë mëdyshje për Reformën në Drejtësi. Reforma në Drejtësi ka patur mbështetjen tonë të plotë, por konsensusi për të arritur Reformën në Drejtësi ka pasur armiq të fortë, të cilët kanë bërë gjithçka për ta përjashtuar opozitën. Ndaj është rasti të falënderoj nga zemra edhe një herë sekretarin Kerry, në veçanti ndihmëssekretaren Nuland, Kongresin amerikan, kryetarin e Komitetit për Europën, Dana Rohrabacher, zv.presidentin e delegacionit në NATO, Robert Arderhold, kongresmeni Davin Jolly, padyshim edhe ambasadorin Lu, ndihma e të cilëve e bëri të pamundur realizimin e këtij projekti destabilizues për Shqipërinë dhe iu dha shqiptarëve një Reformë në Drejtësi, një draft kushtetues të miratuar me konsensus të plotë nga opozita. Siç u shpreh ndihmëssekretarja Nuland, Kancelarja Merkel, komisioneri Han, presidenti Green i Institutit Republikan, pati përmirësime thelbësore për shkak të përfshirjes së opozitës, për shkak të qëndrimeve tona. E në këtë kuptim, nuk është fitore e PD-së, nuk është fitore e Lulzim Bashës, por fitore e çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve të tij politike që falë betejës tonë, falë qëndrimit tonë edhe përballë presioneve absurde e të pajustifikueshme ne insistuam për një draft kushtetues, i cili pengon kapjen politike të drejtësisë nga ky Kryeministër dhe çdo kryeministër tjetër në të nesërmen, respekton të drejtat dhe liritë e njeriut dhe u jep shqiptarëve shansin për një drejtësi që lufton dhe nuk mbron krimin dhe korrupsionin. Natyrisht zbatimi është kyçi. Zbatimi është ai që do të përcaktojë nëse reforma do të ketë sukses. Së pari duhet të zbatohet ligji për dekriminalizimin. Beteja tjetër e zgjedhjeve të lira e të ndershme na pret dhe unë pres me kënaqësi ndihmën e SHBA-ve, sekretarit Kerry, ndihmëssekretares Nuland dhe BE-së për këtë betejë që do ta fitojmë njësoj si betejën e dekriminalizimit dhe asaj të Reformës në Drejtësi.

Marrë nga Zëri i Amerikës