Atentati në Vlorë, shkon në 3 numri i të vrarëve

Krenar Runaj, 50-vjeçari që mbeti i plagosur nga atentati i tre ditëve më parë në lagjen “Partizani” në Vlorë, ka ndërruar jetë në spital pasi nuk mundi t’i mbijetonte dot plagëve që kishte marrë. Ai u plagos nga breshëria e kallashnikovit mbrëmjen e 24 korrikut, kur persona të armatosur hapën zjarr ndaj një pike të basteve, ku mbetën të vdekur në vend Ilir Deromemaj dhe Dhimitër Çani. Numri i viktimave tashmë shkon në 3, pasi ndërroi jetë i plagosuri Runaj.
Shënjestër e atentatit besohet se ishte Ilir Deromemaj, pronar i pikës së basteve, i cili ka qenë i përfshirë në një vrasje në vitin 1997. Ndërkohë, policia e Vlorës arrestoi sot Partizan Durajn nga Fieri, i cili i ka shitur autorëve njërën prej makinave të dyshuara të përdorura në atentat. Ndërkohë, blutë vazhdojnë hetimet për të identifikuar dhe arrestuar vrasësit, të cilët u larguan nga vendngjarja me shpejtësi.