Skandaloze, propaganda e Veliajt, shpenzon 12 milionë lekë për aparate fotografike

Bashkia e Tiranës vazhdon tenderat e çuditshëm, duke mos u kursyer me fondet publike. Kryetari Erion Veliaj ka hapur procedurën për blerjen e disa pajisjeve për aparate fotografike. Fondi i akorduar është plot 12 milionë lekë të vjetra! Sipas dokumenteve që disponon “Boldnews.al”, është hapur procedura me të ardhurat e Bashkisë së Tiranës me anë të VKB-së Nr. 58, datë 30.12.2015 “Për miratimin e programit buxhetor afatmesëm 2016-2018 dhe detajimin e buxhetit të Bashkisë Tiranë për vitin 2016”. Objekti i kontratës është “blerje aparate fotografike dhe pajisje të tjera”. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin është brenda 10 ditëve punë nga data e lidhjes së kontratës. Malli duhet të dorëzohet në magazinën e Bashkisë Tiranë. Kërkohet objektiv (lente) 18-35 mm, për aparat fotografik, me diafragëm 1.8-16, prodhuar për sensor të përmasave APS-C, fileto e objektivit duhet të EF Mount.
Adaptor që lidh aparatin fotografik me lenten, që të arrijë të përshtasë lenten EF me trup mikro 4/3, koeficienti i shumëzimit të lentes të jetë 0.64x, me mekanizëm mbylljeje për të siguruar lenten, të rrisë diafragmën e lentes 1.3 herë dhe me kontroll elektronik mbi të dhënat e kameras. Mbajtëse që mban kamerën, pesha: 1.7 kg. Të jetë me dy motorë elektrikë, me bateri që zgjasin deri në 3 orë, ku përfshihen 3 bateri nga 3.7 volt dhe 2600 miliamper. Pesha totale e mbajtëses duhet të jetë jo më shumë se 1.2 kg.
Bateri të rikarikueshme, 9 copë. Pajisje profesionale për filmime në distancë, të ketë kamerë të inkorporuar që suporton video 4k, të bëjë foto 12 mega pixel, stabilizues imazhi i inkorporuar, mbi 20 minuta filmim të telekomanduar dhe të përfshijë pajisjen për ta komanduar nga distanca. Bateri 4480 miliamper litium – polimeri, (dy copë) mbi 20 minuta qëndrueshmëri gjatë punës, menaxhim të integruar të fuqisë, tregues LED për gjendjen e baterisë, voltazhi 15.2 VDC dhe pesha 365 gramë.
Trup aparati fotografik EF mount, nga 20–24 megapiksel, sensor full-frame CMOS, me ekran LCD 3 inch, regjistrues full HD 1080 pixel, me 11 pika autofokusi, me shpejtësi shkrepje 4.5 shkrepje në sekondë, wi-fi i korporuar, të mundësojë lidhje me GPS, të ruajë fotot me format JPEG dhe RAW, filmimet të ruhen me format MOV dhe MPEG-4, audio të jetë lineare PCM, lloji i kartës së memories që përballon SD, SDHC ose SDXC, fokusi të jetë auto dhe manual, ndjeshmëria e dritës nga ISO 100–25600, shpejtësia e dritës 30–1/4000 në sekondë.
Blic për aparat fotografik, transmetim 2.4 ghz whireless, madhësia e zmadhimit 20–200 mm, ku përfshihet panel me 14 mm, të rrotullohet koka 360 gradë dhe këndi të shkojë deri në 90 gradë, të ketë burim energjie katër pilula AA dhe të jetë i përshtatshëm me trupin e aparatit fotografik. Të jetë model i 2 viteve të fundit. Dritë profesionale LED me 160 pika drite, që montohet në aparat fotografik, rregullim i ngjyrave nga 2800–6500 kelvin, qëndrim vertikal, të ketë bateri të rikarikueshme AC, me difuzor të përfshirë, voltazhi 6.5–12 volt, pesha jo më shumë se 350 gram. Sipas specifikimeve teknike, pajisjet të jenë origjinale dhe të cilësisë së parë. Të gjitha materialet duhet të përputhen me specifikimet teknike dhe sasitë e dhëna në preventiv. Të kenë çertifikatën e origjinës së mallit.