Qeveria e dha koncesionin e Rrugës së Kombit me 33% më shumë se sugjerimi i ekspertëve të huaj

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nëpërmjet një statusi në Facebook, ka publikuar një tabelë të ekspertëve ndërkombëtarë të pajtuar nga vetë qeveria, për referencat e koncesionit të Rrugës së Kombit. Në këtë tabelë duket qartë se grupi i ekspertëve ndërkombëtarë i ka sugjeruar në mënyrë të argumentuar Ministrisë së Transporteve çmimet normale që do të përfitonte koncesionari, sipas çdo segmenti rrugor dhe dendësisë së trafikut. Por duket se qeveria e ka pasur të paracaktuar kontratën dhe çmimin e këtij koncesioni gjigant. “ Rruga e Kombit me pagesë! Ministria e Transportit njoftoi që një kompani turke do të bëjë mirëmbajtjen e Rrugës së Kombit duke vendosur një pagesë për mjetet që do të qarkullojnë në këtë rrugë. Të gjitha gazetat dhe mediat online pak kohë më parë publikuan faktin që po zhvillohej një strategji për dhënien e rrugëve me koncesion. Ministri deklaroi se kjo strategji do të ndiqej me përpikmëri dhe do të ishte baza për përcaktimin e çmimit. Sipas tabelës së kësaj strategjie pagesa për Rrugën e Kombit duhet të varionte nga 0,5-3.5 cent/km. Për 114 km nga Miloti në Morinë pagesa për veturat duhet të ishte nga 0.57-3,99 euro për të gjithë gjatësinë e rrugës. Në rast se pagesa do të zhvendoset në Rrëshen atëherë totali nuk duhet të kalojë 2,8 euro për të gjithë distancën. Ministria njoftoi që pagesa do të jetë 5 euro! Mirë që po vendosin pagesë në arterien kryesore të vendit ku trafiku vjetor llogaritet në 11000 automjete, por kjo po bëhet dhe me të paktën 33% më shumë se çmimi i sugjeruar nga ekspertët! Po taksa e qarkullimit që është rritur në dy vjet me 240 lekë për çfarë përdoret në një kohë që mirëmbajtja e rrugëve është në minimumin historik?! Përpara se të merret ky vendim i rëndësishëm gjykoj që duhet të analizohen dhe shumë faktorë të tjerë. Një analizë kosto-përfitime e plotë se çfarë humbim e sa fitojmë, një analizë e plotë e impaktit ekonomik, një analizë e plotë e impaktit në turizëm kur këtë vit turistët nga Kosova mbizotërojnë në plazhet shqiptare. Siç duket premtimet për një treg të vetëm me Kosovën, për lehtësira e bashkëpunim në rritje ishin thjesht propagandë që filloi e mbaroi me një mbledhje të vetme qeverie!” shkruan Tabaku.