Ballina Kryesore Basha në SHBA, takime me kongresmenë dhe senatorë

Basha në SHBA, takime me kongresmenë dhe senatorë

Kryetari i PD, Basha ka marrë në SHBA vlerësime në lidhje me rolin e tij në miratimin e Reformës në Drejtësi. Me ftesë të Partisë Demokratike amerikane dhe Institutit Kombëtar Demokratik, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha mori pjesë në ceremoninë e hapjes së Konventës së Demokratëve në Filadelfia, ku Hillary Clinton pritet të marrë emërimin si kandidatja demokrate për Presidente në Shtetet e Bashkuara  të Amerikës, e para grua në historinë e SHBA-ve.
Lideri i opozitës Basha u takua me drejtues të lartë të Partisë Demokratike amerikane, senatorë dhe kongresmenë të pranishëm në konventë dhe në forumet e shumta ku ai është ftuar si mik nderi.
Më herët Basha ishte i pranishëm në Forumin e Liderëve Botërorë me ftesë të Institutit Kombëtar Amerikan NDI. Basha u takua me liderë nga vende të ndryshme të Europës, pjesëmarrës në këtë forum. Kreu i demokrateve u takua me sekretarin e Përgjithshëm të Partisë Popullore Europiane, Antonio Lopez-Isturiz. Sekretari i Përgjithshëm i PPE-së vlerësoi rolin dhe kontributin e Bashën dhe Partisë Demokratike në realizimin e amendamenteve kushtetuese bazuar në standardet më të mira europiane.
Duke vlerësuar lidershipin e Basha në procesin e hartimit dhe miratimit me konsensus të Reformës në Drejtësi, si dhe ligjin e dekriminalizimit, Lopez rikonfirmoi gjithë mbështetjen e PPE-së për Partinë Demokratike në rrugën e saj të rikthimit në pushtet dhe krijimit të alternativës që do t’u japë shpresë dhe zhvillim shqiptarëve dhe garantoi ecjen e sigurt drejt integrimit europian.
Në takimin me eurodeputetin Knut Fleckenstein, Basha i shprehu mirënjohjen për kontributin e tij të vyer për Reformën në Drejtësi. Duke vleresuar lart rolin e tij dhe të eurodeputetit Eduard Kukan në mbështetje të konsensusit Basha u shpreh se ndihma e tyre ishte e një rëndësie të jashtëzakonshme në kushtet kur ndonëse Reforma në Drejtësi nuk kishte prej fillimit asnjë kundërshti, konsensusi politik kishte armiq të egër, të cilët bënë gjithçka për të përjashtuar opozitën.
Basha u takua edhe me ish-sekretaren amerikane të Shtetit, Madeleine Albright, kontributi i së cilës është i pazëvendësueshëm për çlirimin e Kosovës, si dhe me Kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me ish–Presidenten Atifete Jahjaga, me eurodeputeten Tanja Fajon, si dhe me ministra të jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Europian etj.

Exit mobile version