IS sulmon kishën në Francë, priftit i pritet koka, policia vret pengmarrësit

Shteti Islamik ka marrë përsipër përgjegjësinë e sulmit të ekzekutuar në një kishë në veri të Francës duke deklaruar se akti është kryer nga dy persona që i kishin premtuar besnikëri organizatës terroriste. Dy individë ende të paidentifikuar morën peng pesë persona në një kishë e më pas ekzekutuan një prej tyre. Viktima ka qenë prifti i kishës, 84-vjeçari At Zhak Hamel, i cili është vrarë përmes prerjes së fytit. Ndërkohë, zyrtarët komunikojnë se një tjetër person po qëndron në spital dhe është në rrezik për jetën. Agresorët u qëlluan për vdekje nga forcat e sigurisë menjëherë pasi tentuan të largohen nga vendi i ngjarjes. Mundësia që pas ngjarjes të qëndronte Shteti Islamik u paralajmërua më herët edhe nga Presidenti i Francës, Fransua Hollande, i cili udhëtoi menjëherë drejt zonës ku ndodhi tragjedia. Ndërkohë, Prokuroria nga ana tjetër tha zyrtarisht se hetimi i çështjes i është ngarkuar njësisë antiterroriste pranë këtij institucioni. Sulmi u dënua menjëherë nga Kryeministri Manuel Valls, ndaj të cilit ka patur kritika të shumta për shkak të performancës së dobët të forcave të sigurisë. Ky agresion vjen menjëherë pas tragjedisë së Nisës ku u vranë më shumë se 80 persona.