Eros Grezda, pasuesi i Pjacas te Dinamo Zagreb?

Eros Grezda është gati për të bërë hapin e madh në karrierë. Mesfushori i kombëtares Shpresa të Shqipërisë, i cili sezonin e kaluar ishte një nga lojtarët që shkëlqeu më shumë në kampionatin kroat me fanellën e Lokomotivës së Zagrebit ka përfunduar në radarët e Dinamos së Zagrebit. Kampionët e Kroacisë shohin te 21-vjeçari i lindur në Gjakovë zëvendësuesin ideal të talentit Marko Pjaca, i cili pak ditë më parë u transferua zyrtarisht te Juventusi për rreth 23 milionë euro. Grezda për momentin është nën kontratë deri më 30 qershor të vitit 2019 me Lokomotivën e Zagrebit.
Megjithatë drejtuesit e Dinamos për të bindur skuadrën tjetër nga Zagrebi të lejojë largimin e lojtarit janë gati të ofrojnë 1 milion euro. Pikërisht me këtë shumë vlerësohet kartoni i Eros Grezdës nga faqja e specializuar për transferimet e futbollistëve, “transfermarkt.de”. Te Lokomotiva do ta kenë të vështirë t’i thonë jo Dinamos së Zagrebit nëse interesimi i këtyre të fundit është konkret, duke ditur edhe marrëdhëniet shumë të mira që ekzistojnë mes drejtuesve të dy klubeve.
Dinamo e Zagreb-it e përdor Lokomotivën si një klub satelit ku huazon lojtarë të rinj të moshë, të cilët arrijnë të fitojnë eksperiencën e nevojshme te kjo. Rasti më i fundit është ai i një shqiptari, pikërisht Endri Çekiçit. Talenti i kombëtares shqiptare të 21-vjeçarëve luan që prej janarit të vitit 2016-të nga Dinamo e Zagrebit te Lokomotiva në formë huazimi.
Përsa i përket Eros Grezdës me një kalim të mundshëm te skuadra më e madhe e futbollit kroat ai do të bënte një hap të rëndësishëm përpara në karrierën e tij, pasi do t’i jepej mundësia të luante edhe në fazën e grupeve të një prej dy kompeticioneve më të rëndësishme europiane, duke patur parasysh faktin që Dinamo e Zagrebit kualifikohet rregullisht në grupet e Championsit ose Europa Leagues. 21-vjeçari shqiptar spikati sezonin e kaluar me Lokomotivën e Zagrebit teksa zhvilloi në total 29 ndeshje në kampionatin kroat duke realizuar edhe 9 gola, edhe pse luan në rolin e mesfushorit të krahut.