Duel United-Real

Kryefjala e kësaj merkatoje padyshim që është mesfushori i Juventusit, Paul Pogba. Manchester United duket se është shumë pranë 22-vjeçarit, por duket se në orët e fundit është futur në skenë dhe Reali i Madridit, të cilët deri më tani i vetmi transferim që kanë kryer është ai i sulmuesit Alvaro Morata. Klubi “Los Blancos” nuk i ka humbur shpresat për transferimin e mesfushorit dhe këtë javë pritet të intensifikojë bisedimet me agjentin e lojtarit, Mino Raiola, por një gjë të tillë duhet të bëjë sa më shpejt, pasi Raiola po brenda kësaj jave ka një takim me drejtuesit e Djajve të Kuq.
Ndërkohë nga ana tjetër drejtuesit e klubit bardhezi nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga shuma që kanë kërkuar. Mesazhi nga ana e tyre është i qartë, kushdo që kërkon të ketë në dispozicion shërbimet e mesfushorit duhet të paguajë jo më pak se 120 milionë euro. Vetë Pogba duket se preferon më shumë një transferim tek Reali i Madridit dhe është në pritje të një telefonate nga ana e tyre. Situatë e paqartë për francezin, i cili ka përfunduar pushimet në Miami dhe tashmë ndodhet në Torino. Operacion shumë i vështirë si për Man.United ashtu dhe për Realin e Madridit dhe me shumë gjasa për Pogba do të jetë një betejë deri në minutën e fundit.
Merkatoja e kësaj vere nuk pritet të sjellë shumë fytyra të reja te Reali i Madridit të paktën deri në momentin nga skuadra nuk do të largohen ata lojtarë që gjetën pak hapësira sezonin e kaluar. Në ndryshim nga rivalët e Barcelonës që kanë shtuar radhët me 4 futbollistë, Umtiti, Digne, Andre Gomes dhe Denis Suarez, Los Blancos aktualisht kanë afruar në skuadër vetëm Alvaro Moratën, i cili është rikthyer në shtëpi pas aventurës 2-vjeçare në Itali me Juventusin. Edhe pse Zidane ka kërkuar të paktën 1 ose 2 përforcime të tjera mesazhi që kanë lëshuar drejtuesit e Realit ka qenë i qartë: Në skuadër nuk do të afrohet asnjë futbollist tjetër në rast se nga ekipi nuk largohen disa lojtarë.
James Rodriguez, i cili ishte një nga emrat më të përfolur për t’i dhënë lamtumirën klubit merengues gjatë kësaj vere, pak ditë më parë zbuloi se dëshira e tij është të qëndrojë në kryeqytetin spanjoll dhe të fitojë sa më shumë trofe me Realin. Në pamundësi për të afruar në ekip, lojtarë të tillë si Pogba apo Hazard trajneri i madrilenëve Zidane në një prononcim të fundit ka theksuar se është shumë i kënaqur me grupin e futbollistëve që ka në dispozicion për sezonin e ri. Duhet edhe më shumë se një muaj që të mbyllet merkato, por nëse lojtarë si Kovaçiç, Isco apo edhe vetë Morata i blerë vetëm këtë verë nuk i japin lamtumirën klubit merengues te Reali nuk kanë ndërmend të bëjnë të tjera ndërhyrje në merkato.
Pas një sezoni të vështirë mes dëmtimesh, Rafael Varane është gati për ta nisur kampionatin në mënyrën e duhur, madje duke i premtuar besnikëri Real Madridit. Francezi është mes emrave të ndjekur nga klubet e mëdha angleze, por ai sqaron se ka biseduar me drejtuesit dhe me trajnerin Zidane prej të cilit ka marrë edhe garanci ndaj nuk ka ndërmend të largohet. Varane u shpreh se tani vjen më e mira për të te “Los Blancos” edhe pse konkurrenca në mbrojtje është e madhe.