Aliji optimist: Kaiserslauterni zgjedhja e duhur për karrierën

Naser Aliji është i lumtur për zgjedhjen e tij. Kalimi te Kaiserslautern gjatë kësaj vere mund t’i japë një tjetër rrjedhë karrierës së mbrojtësit të kombëtares shqiptare. 22-vjeçari në një intervistë për kanalin zyrtar të klubit është shfaqur shumë optimist për aventurën e tij të re. Aliji shpreson që në këtë sezon, ai dhe Kaiserslauterni të sigurojnë ngjitjen në Bundesligën e parë. Për të firmosur një kontratë trevjeçare me Kaiserslauternin, kuqeziu la përfundimisht Baselin, por Aliji kurrësesi nuk pendohet për zgjedhjen e tij, sepse pavarësisht pozitave në të cilat ndodhet klubi nga Fritz, Walter Stadion është një emër i madh i futbollit gjerman, që në të kaluarën ka fituar edhe Bundesligën. “Dëshiroja një aventurë të re në karrierën time dhe kalimi te Kaiserslauterni ka qenë ai i duhuri, theksoi Naser Aliji.
Djaloshi i lindur në Kumanovë ka bërë paraqitje shumë të mira në krahun e majtë të mbrojtjes gjatë sfidave miqësore që ka zhvilluar me Kaiserlauternin në këtë periudhë dhe trajneri Tayfun Korkut shpeshherë ka thurur elozhe në drejtim të Alijit. “Ndodhem në një skuadër të mirë dhe me traditë shpresoj të bëj paraqitje sa më të mira këtu, shtoi më tej mbrojtësi shqiptar. Naser Aliji në fund të intervistës së tij u kthye të fliste edhe për kampionatin europian, ku ai përjetoi një eksperiencë të paharrueshme me kombëtaren shqiptare”. Ishte diçka fantastike, një ëndërr e bërë realitet për ne, deklaroi 22-vjeçari.