41 mijë maturantë e familjet në ankth, qeveria ka bllokuar aplikimin në universitete

41 mijë maturantë dhe familjet e tyre po mbahen në akth nga qeveria, e cila ende nuk ka nxjerrë udhëzimin zyrtar për aplikimin në universitet. Për herë të parë nuk ka një udhëzim zyrtar për procesin e aplikimit, nuk ka shpallje të kuotave me vendim qeverie dhe nuk janë bërë të njohura tarifat për programet e ciklit universitar Partia Demokratike denoncoi ashpër dje bllokimin e aplikimit të maturantëve në unviersitete. Në një deklaratë për shtyp nga selia e PD, kreut të Departamentit të Arsimit, Luçiano Boçi dënoi këtë skandal ndërsa tha: “Ndërsa korriku po ikën, 41 mijë maturantë ende nuk e kanë të qartë të ardhmen, për shkak të papërgjegjshmërisë së qeverisë. Jemi më 26 korrik dhe është hera e parë që nuk ka një udhëzim zyrtar për procesin e aplikimit, nuk ka shpallje të kuotave me vendim qeverie dhe nuk janë bërë të njohura tarifat për programet e ciklit universitar.
Ndërkohë që ky proces duhej të kishte nisur, ende nuk kemi një zbardhje të rezultateve të notave të provimeve të maturës.
Nuk janë hartuar dhe formalizuar udhëzimet teknike që do të mundësojnë një proces të qartë e transparent, të pakontestuar nga maturantët. Portali nuk është gati nga ana teknike për hedhjen e mesatares së maturantit, gjë që bllokon gjithë procesin e plotësimit online të formularit prej çdo maturanti. Nuk kemi ende një afat kohor për procesin e aplikimit në universitet, data të përcaktuara, si do të operohet dhe kur do të përfundojë ky proces”, tha Boçi.
Ai tha se nuk ka një udhëzim, që të përcaktojnë datat e konkurrimit për ata maturantë që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në universitete që kanë programe studimi me konkurrim, si US, UART, UAMD etj.
“Nuk është përcaktuar procedura e ndjekur ndër vite e librit të transparencës, ku çdo maturant, ka të drejtën të verifikojë rezultatet e tij, për të shmangur çdo gabim të mundshëm në hedhjen e të dhënave në data bazë.
Pra, MAS, nuk arrin të përmbyllë një proces, i cili prej vitit 2006 e deri në vitin 2013, sot që flasim, më 26 korrik, i kishte shuar të gjitha dilemat e maturantëve dhe ata ishin të qartë për vendimet që do të merrnin” tha kreu i departamentit për arsimin në PD.
Boçi bëri të ditur se maturantët në këto vite kishin në dorën e tyre deri më datën 20 korrik:
– Dëftesën me rezultatet e shkollës, provimeve të MSH, si dhe diplomën e MSH;
– Ishin të njohur me të gjitha programet e studimit, kodet e programeve të studimit, formulën e përllogaritjes së notave, datat e konkurseve për programet e studimit që e kishin kusht;
– Prej datës 22-30 korrik të çdo viti bëhej aplikimi i Formularit A2, sipas sistemit meritë-preferencë;
– Në ditët e para të muajit gusht dilte libri i transparencës, me të cilin njiheshin të gjithë maturantët.
– Pasi përmbyllej ky proces maturantët tashmë prisnin vetëm formalizimin e kërkesave të tyre të plotësuar në Formularin A2 në 10 ditëshin e parë të muajit shtator.
Boçi theksoi se kjo vonesë skandaloze e Ministrisë së Arsimit dhe e qeverisë, po shkakton stres, lodhje e mundim tek 41 mijë maturantë e familjet e tyre.
“Partia Demokratike i kërkon qeverisë dhe zonjës Nikolla, të heqin dorë nga fundjavat e gjata e pushimet luksoze. Nëse i kanë rehatuar fëmijët e tyre në shkollat e Europës, ata duhet të ushtrojnë përgjegjësinë kushtetuese që kanë t’u shërbejnë minimalisht 41 mijë maturantëve shqiptarë, duke kryer detyrimin e tyre ligjor”, u shpreh Boçi në deklaratën për shtyp.

A.Shahini