12 policë u morën peng për kunatin e Tahirit

Dalin në dritë detaje të reja për skandalin e pushimit nga puna të 7 punonjësve të policisë pse ndaluan kunatin e ministrit Tahiri. Ish-Kryeministri Berisha në një postim në Facebook shkruan se qytetari dixhital e ka informuar për të dhëna të reja mbi ngjarjen e ndalimit nga policia të kunatit problematik të Saje qorrit, i cili bërtiste dhe ofendonte punonjësit e policisë. “Polici dixhital informon: Të dhëna të reja mbi ngjarjen e ndalimit nga policia të kunatit problematik të Saje qorrit dhe raprezaljen e këtij të fundit ndaj policëve që zbatuan ligjin! sb”, shkruan Berisha, duke publikuar të plotë mesazhin e qytetarit.
“Sipas njërit prej policëve që po më tregonte ngjarjen para 5 ditësh, policët kishin dalë për një postbllok atë ditë tek dogana e Tiranës për kontroll makinash, ku kunati i Saimirit paska edhe lokalin e tij. Ndërkohë që i ka parë, duke qenë super tapë, kunati ka shkuar tek ata dhe ju ka bërë gangsterin, duke bërtitur dhe shtyrë policët.
Ata e kanë kapur për ta shoqëruar, por gjatë kësaj kohe e kishin lënduar pak, por jo se e kishin prekur. Në këtë kohë në vendngjarje vjen eskorda e Saimir Tahirit, pa Saimirin, por me këshilltarin e tij, një djalë i ri. Ai ka ndërhyrë dhe ua ka marrë policëve nga duart, duke ju thënë, a e njihni ju këtë, si dhe lëreni se merrem unë me të dhe e ka marrë vetë në eskortë.
Më pas, të 12 policët janë thirrur në Drejtorinë e Policisë ku janë pyetur dhe janë mbajtur deri në 3 të natës. Ju kishin thënë se do të pushoheshin dhe do të arrestoheshin për tejkalim kompetencash, sepse ishte ankuar kunati dhe i duhej plotësuar dëshira pijanecit.
Policët janë ballafaquar me këshilltarin e Saimirit që ua mori kunatin nga duart, por ai çuditërisht nuk kishte pranuar asgjë. Ai kishte mohuar gjithçka, ku sipas tij, nuk ju kishte thënë policëve as lëreni se është filani dhe as tregoi se e kishte marrë me vete jashtë çdo procedure.
Policët pas kësaj ishin ndjerë keq, sepse nuk po kuptonin sesi duhet të kishin vepruar. Duhet të kishin dëgjuar apo jo këshilltarin e pafytyrë të ministrit, që ua kishte mohuar gjërat në sy.
Atë natë të gjithë ishin frikësuar se mos i arrestonin, ndërkohë që me ndërhyrje nga miq dhe të afërm, vetëm 7 prej tyre u pushuan. Gjatë kësaj kohe, të gjithë ishin bërë gati për ta bërë publike ngjarjen dhe kishin komunikuar me gazetarin Artan Hoxha, duke i treguar të gjithë ngjarjen. Ai ishte treguar i gatshëm, por meqë ndëshkimi u minimizua, u tërhoqën nga denoncimi publik”, përfundon qytetari.
Dy ditë më parë, Partia Demokratike reagoi kundër shkarkimit të shtatë policëve, sepse arrestuan kunatin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Përmes një deklarate për mediat, kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Alibeaj tha se një muaj më parë, një biznesmen i njohur dëshmoi me prova arrogancën dhe dhunën brutale të policisë, tejkalimin e çdo norme, asnjë masë nuk mori Saimir Tahiri, askush nuk mbajti përgjegjësi. “Po nëse dikush, një polic prek kunatin e Saimir Tahirit, ky do të jetë fundi i tij, fundi i karrierës dhe do ta shohë veten në rrugë. Kjo ka ndodhur këtë fundjavë në Tiranë, ku 7 oficerë policie janë flakur, sepse reaguan ndaj kunatit të Saimir Tahirit, i cili, iu vërsul policëve me arrogancën tipike të familjarëve të qeveritarëve me pretekstin se po i prishnin qetësinë dhe relaksin në lokalin e tij. Paçka se policia gjendej aty në një aksion e sinjalizuar për praninë e një personi të armatosur.
Policia nuk e dinte se kishte të bënte me kunatin e Tahirit, dhe nuk e dinte se po kalonte vijën e kuqe. Sepse Tahiri dhe kunati i tij janë përtej vijës së kuqe, ata janë të paprekshëm. Të paprekshëm si njerëzit e Tahirit, janë jo vetëm familjarët e tij, po dhe bandat, trafikantët, rrëmbyesit, grabitësit, e sidomos habilajt, kordinatorët kombëtarë të drogës në vend”, tha Alibeaj në deklaratën e tij.

R.POLISI