Zjarr në spital, 2 të vdekur, 1 në koma dhe 25 të plagosur

Dy pacientë humbën jetën, një ndodhet në koma dhe 25 të tjerë janë plagosur e asfiksuar si pasojë e një zjarri të qëllimshëm në Repartin e Hemodializës në Spitalin “Amerikan” në Tiranë. Sipas burimeve, viktimat janë Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi, e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë dhe Hani Mali, 55 vjeç nga Laçi, e cila u gjet poshtë një shtrati, e karbonizuar.
Bëhet e ditur se, në brendësi të pavionit të Hemodializës, pacienti Lefter C., 57 vjeç, ka shkuar në dhomën e shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç ka spërkatur me benzinë 47-vjeçarin, për t’i vënë flakën.
Në dhomë me 47-vjeçarin D.Saraçi, ka qenë edhe Sanie Sulaj, 55 vjeçe, e cila ka gjetur vdekjen si pasojë e asfiksisë. Por edhe një paciente tjetër ka ndërruar jetë, si pasojë e asfiksisë, pasi zjarri është përhapur në gjithë pavionin.
Fillimisht me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e flakëve, të cilat kishin përfshirë të dy pacientët. Pavarësisht kësaj, flakët janë përhapur në gjithë pavionin e Hemo-Dializës, të spitalit “Amerikan”. U desh ndërhyrja e forcave zjarrfikëse për të vënë nën kontroll flakët dhe për të nxjerrë jashtë pacientët e tjerë.

Ngjarja

Pacienti Lefter C., 57 vjeç ka shkuar në dhomën e shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç. Sipas burimeve, ai ka nxjerrë nga qesja një bidon me benzinë dhe ka spërkatur 47-vjeçarin, për t’i vënë më pas flakën. Fillimisht me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e flakëve, të cilat kishin përfshirë të dy pacientët”. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë edhe shërbimet policore dhe zjarrfikëset. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 3 nxorrën jashtë godinës pacientët që ndodheshin brenda.
Nga veprimet paraprake te grupit hetimor, i cili ndodhet në vendin e ngjarjes dyshohet se zjarri mund të jetë shkaktuar me dashje nga pacienti i identifikuar si Lefter C., 57 vjeç. Dyshohet se ka lind një konflikt midis dy shtetasve Lefter. C dhe shtetasit D.Saraçi, 47 vjeç.
Shtetasi Lefter C., pasi ka mbaruar dializën ka shkuar në dhomën e shtetasit D.S, ka nxjerrë nga qesja një bidon dhe dyshohet të ketë spërkatur me benzinë shtetasin D.S dhe më pas i ka vënë zjarrin. Me ndërhyrjen e infermierëve është bërë e mundur shuarja e zjarrit mbi autorin e dyshuar dhe të dëmtuarin.
Shtetasi D.Saraçi ka qenë i shtruar dhe merrte mjekim dhe në të njëjtën dhomë me të ka qenë duke marrë mjekim dhe pacientja Sanie Sulaj, 55 vjeçe nga Mamurrasi, e cila ka gjetur vdekjen si pasoje e asfiksisë. Më pas është gjetur e vdekur poshtë krevatit edhe shtetësja Hani Mali, 55 vjeç.
Aktualisht shtetasi D.Saraçi ndodhet i shtruar në sallën e reaminacionit pranë Spitalit Amerikan 1, kurse autori i dyshuar ndodhet në Spitalin Amerikan 2. Zjarrfikësit, të cilët mbërritën menjëherë në vendngjarje, bënë të mundur neutralizimin në kohë të flakëve dhe nxjerrjen e pacientëve dhe stafit nga pavioni. 25 personat e asfiksuar, pacientë, të afërm dhe punonjës të stafit po trajtohen në Spitalin e Traumës në Tiranë në gjendje të stabilizuar. Ndërkaq, policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Vëllai i viktimës nga zjarri në spital: Lajmin e mësova nga Tv

Një nga dy viktimat e djeshme nga zjarri në Spitalin Amerikan në Laprakë të Tiranës ishte edhe Hanife Mali, 55 vjeçe, nga Laçi. Vëllai i saj Shyqyri Balla, tregon momentin si e mori lajmin tragjik që motra humbi jetën nga zjarri. “Kjo është një ngjarje e rëndë. Nuk ka gjë më të rëndë. Të vijë tjetri e të të djegë njeriun tënd të krevat, pa asnjë arsye kjo është e rëndë. Shteti duhet të zbardhë çështjen. E morëm vesh lajmin nga televizioni. Kisha motrën dhe u interesova, i rashë telefonit, por na thanë që është mirë dhe nuk ka probleme, por kur i binim telefonit nuk rezultonin. Kam ardhur këtu me disa specialistë dhe pashë në morg se ishte djegur. Ishte djegur i gjithë trupi”, u shpreh ai.
Shyqyri Balla tregon edhe ditën e fundit të motrës së tij. “Sot nuk kam folur me Hanifen. Motra ime vinte çdo ditë në mëngjes. Sot në orën 05:00 është nisur dhe pas një ore ajo ka mbërritur në spital, pasi rruga shkon një orë. Ajo vinte çdo ditë këtu për t’u trajtuar”, tha ai.
Nga zjarri në Spitalin Amerikan humbën jetën dy pacientë, 55-vjeçarja Sanie Sulaj nga Mamurrasi dhe Hanife Mali, gjithashtu 55-vjeçe nga Laçi. Ato kanë qenë të shtruara në spital, kur ka rënë zjarri.
Shkak i zjarrit ka qenë një sherr mes dy pacientëve, ku njëri ka tentuar të djegë tjetrin brenda dhomës së Hemodializës. Sipas policisë, zjarri është vënë nga pacienti i identifikuar si Lefter Canaj, 57 vjeç, pas një konflikti me pacientin tjetër Dashamir Saraçi, 47 vjeç.

R.POLISI