Pse Rama nuk e mohon skandalin?

Zoti Rama ka reaguar dy herë në lidhje me akuzat e bëra nga mediat amerikane për skandalin e financimit të paligjshëm të fushatës elektorale presidenciale. Por të dyja herët deklaratat në emër të tij i ka bërë Drejtoria e Komunikimit në Kryeministri, një institucion pak i njohur për publikun.
Ishte fillimisht agjencia “Reuters”, rrjeti amerikan “Fox News” dhe disa media lokale të Nju Xhersit ato, të cilat pohuan se “personi joshtetas amerikan”, i cili kishte siguruar 80 mijë dollarët që shqiptaro-amerikani Bilal Shehu i kishte dhuruar në fushatën e Presidentit Obama në vitin 2012, ishte zoti Edi Rama.
Këto pohime u bënë pasi Bilal Shehu pranoi para një gjykate të Nju Xhersit akuzat e ngritura ndaj tij për financim të paligjshëm në mënyrë të qëllimshme dhe të vetëdijshme. Njoftimi për hetimin dhe pranimin e akuzat nga ana e tij u lëshua publikisht nga Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Akuzat e mediave amerikane u përcollën menjëherë nga mediat shqiptare.
Disa ditë më vonë, PD paditi në Prokurori Kryeministrin Rama për hetimin e ligjshmërisë së origjinës dhe transferimit të parave.
Në të dyja rastet, zotit Rama reagoi duke mohuar lidhje me skandalin për të cilin do të dënohet Bilal Shehu, duke i quajtur si akuzat në media ashtu edhe padinë e PD-së baltë që hidhej ndaj tij.
Por në asnjërin nga dy rastet ai nuk e bëri deklaratën vetë apo në emrin e tij. Në të dy raste ishte Departamenti i Komunikimit në Kryeministri, i cili përgënjeshtroi duke iu referuar në vetë të tretë Kryeministrit Rama. Për më tepër, deklaratat e Departamentit nuk ishin nënshkruar apo përcjellë nga asnjë person konkret.
Nga një kërkim i shpejtë në arkivat e Kryeministrisë duket se është hera e parë që kjo drejtori bën ndonjë deklaratë për shtyp.
Përfshirja e kësaj drejtorie duket e pazakontë edhe për faktin se zoti Rama i përcjell pothuajse gjithmonë, në vetë të parë dhe me autorësi mendimet dhe qëndrimet e tij, më së shumti përmes llogarive zyrtare në Facebook dhe Twitter.
Në këto dy llogari, ai komentin e poston çdo ditë pothuajse për çdo gjë, që nga ndeshjet e futbollit tek Reforma në Drejtësi dhe çështjet më të rëndësishme politike në vend.
Megjithatë për këtë gjë kaq të rëndësishme ka zgjedhur të mos shkruajë asgjë.
Deklarata e një drejtorie të Kryeministrisë duket edhe më e pakuptimtë, pasi ajo është institucion publik qeveritar, ndërkohë që zoti Rama akuzohet se ka shkelur ligjin në kohën kur ishte vetëm kryetar i Partisë Socialiste në opozitë.
Në këto rrethana, mbetet pyetja: Pse zoti Rama nuk del personalisht për të deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me skandalin e financimit të paligjshëm të fushatës presidenciale amerikane?

“Exit.al”