Për çfarë sigurie po flasim?

Deputeti i PD, Arben Ristani, duke folur gjate nje seance parlamentare, ku eshte debatuar ne lidhje me arrestimin e Emiljano Shullazit dhe kercenimet ndaj kandidatit per rektor ne Universitetin e Tiranes, Mynyr Koni./r/n/r/nLawmaker Arben Ristani, speaks during a parliamentary session.

Arben RISTANI

Gjykata Kushtetuese me vendimin e saj Nr. 9, dt. 26.02.2016 ka vendosur të shfuqizojë si antikushtetues ndryshimet që ky Parlament i ka bërë neneve 55 dhe 278 të Kodit Penal përkatësisht me ligjet Nr.144 të 2013 dhe Nr. 98 të 2014. Në kushtet kur Kryeministri Rama nuk ka lëshuar ndonjë kërcënim ndaj gjykatave, ministri i Brendshëm gjithashtu nuk ka sharë dhe kërcënuar gjyqtarët lidhur me këtë vendim të tyre, si dhe organizatat socialiste nuk kanë zhvilluar demonstrata, duke rrethuar Gjykatën, ne sot jemi të lirë të miratojmë një ligj, i cili reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
Gjatë shqyrtimit të këtij projektligji në Komisionin e Ligjeve, u vu re se nga ana e qeverisë ishte ndërruar radha e paragrafëve të Nenit 278 të Kodit Penal, duke ndikuar kështu në harmonizimin me ligjin e dekriminalizimit. Duke besuar arsyen e përfaqësuesve të qeverisë se kjo mungesë flagrante e harmonizimit të ligjeve, ishte e paqëllimshme, dhe thjeshtë mungesë vëmendjeje e njerëzve të qeverisë, Komisioni i Ligjeve e miratoi projektligjin për ta kaluan në seancën plenare.
Gjej rastin të theksoj se me ligjin tashmë të shfuqizuar si antikushtetues, qeveria sipas deklarimeve të saj, është udhëhequr nga interesi publik. Qeveria ka ashpërsuar masat e dënimit me qëllim që të luftojë krimin e organizuar dhe të mbrojë sigurinë dhe rendin publik. Kjo është thjesht propagandë dhe s’ka të bëjë fare me luftën ndaj krimit të organizuar. Ligji, në ndryshim nga morali dhe besimi, është i ftohtë, me vështirësi brendësohet, në përgjithësi nuk kalon nga zemra, por thjesht nga mendja.
Ashpërsimi i dënimit në bazë të ligjit, i pashoqëruar me punë parandaluese, edukative, bindëse për shoqërinë, jo vetëm që nuk e ndalon kriminalitetin, por nxit pakënaqësinë e njerëzve për shtetin e tyre. Për të besuar te ligji do të duhet patjetër të besosh te njerëzit që bëjnë ligjin, duhet të besosh te shembulli që japin njerëzit që bëjnë ligjin, duhet të besosh te vullneti dhe përgjegjshmëria e tyre.
Pikërisht këtu fillon dhe problemi ynë. A janë njerëzit që bëjnë ligjin tek ne, të vullnetshëm dhe të përgjegjshëm për të vepruar, vetë së pari, në bazë të ligjit? A besojnë sot shqiptarët se Kryeministri dhe qeveria e tij, e zbatojnë ligjin për vete dhe njerëzit e tyre? A janë ata të vullnetshëm dhe të përgjegjshëm, për të punuar për një shtet ligjor dhe për të ndikuar në edukimin e popullatës, me ndjenjën e zbatimit të ligjit? Apsolutisht jo.
Kemi sot një Kryeministër që ka bërë tërësisht të kundërtën, ka lidhur aleancë me krimin, është bërë një dhe i pandarë me krimin. Kemi sot një Kryeministër që ka kriminalizuar së pari, Parlamentin, institucionin më të lartë të kësaj ngrehine shtetërore që ne kemi. Ka sjellë në Parlament përfaqësuesit më të lartë dhe të egër të krimit. Ka bërë parlamentar vrasës, trafikantë droge, trafikantë prostitutash. Ka kriminalizuar pushtetin vendor, duke bërë kryebashkiakë përdhunues dhe trafikantë. Ka kriminalizuar gjithë administratën shtetërore, duke vënë në detyra kyçe përfaqësues të krimit. Është ky Kryeministër që qëndron në krye të një administrate shtetërore sot, ku sipas KLSH, kjo administratë i ka shkaktuar shtetit shqiptar, vetëm në vitin 2015, një dem ekonomik prej 1 miliard euro, afërsisht.
Është ky Kryeministër në krye të një administrate që abuzon çdo ditë me paranë publike, e cila vidhet në tendera të drejtpërdrejtë,  të cilët fitohen me vlera maksimale. Atëherë si mund të kenë besim njerëzit e këtij vendi ligjit dhe shtetit ligjor, kur Kryeministri i pari, nuk ka vullnet dhe përgjegjshmëri për të zbatuar ligjin. Si mund të ndërtohet dhe punohet për edukimin ligjor të këtij populli, kur Kryeministri i vendit, që kur ishte në opozitë, ka shkelur ligjin e SHBA, duke futur para të zeza në fushatën elektorale të Presidentit Obama. Rasti kur Rama është paraqitur si bashkëshortja e Bilalit vetëm për të bërë një foto me Presidentin Obama, është jo vetëm turp për të dhe për ne që e kemi Kryeministër, jo vetëm është shkelje flagrante e ligjit të injektosh para të pista në fushatën elektorale të një vëndi tjetër, por është pikërisht, veprimi më i keq, më i kundërt, në rrugën e rritjes së besimit të ligjit për shqiptarët.
Besoj të gjithë do kishim dashur sot, që në konventën e demokratëve në Amerikë, së bashku me liderin e opozitës, zotin Basha dhe me liderin e partisë së dytë në pushtet, zotin Meta, të ishte edhe Kryeministri ynë i ftuar. Është turp për ne dhe goditje e rëndë për edukimin ligjor të shqiptarëve, që Kryeministri nuk ftohet dhe nuk shkon dot në Amerikë, për shkak të sjelljes si gruaja e Bilalit dhe thyerjes së ligjit amerikan. E përsëris, nuk është metoda e duhur, që të ashpërsojmë dënimet penale ndaj shkelësve të ligjit, ndërkohë që s’kemi bërë asgjë për të parandaluar sjelljet kriminale në shoqëri, ndërkohë që s’ka vullnet dhe përgjegjshmëri nga shtetarët për të zbatuar ata vet të parët ligjin.
Si mund të bëhet ligji pjesë e sjelljes sonë qytetare, të përditshme, kur Shqipëria sot, nën kujdesin e veçantë të Kryeministrit dhe ministrit tonë të brendshëm, është e gjitha e mbjellë me drogë. Sipas raportit të Europolit, Shqipëria sot është vendi më i rëndësishëm i kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike. Sipas raportit të OKB, Shqipëria renditet, një ndër 5 vendet më të mëdha, të kultivimit të canabis-it në botë.
Vetëm në javën e fundit, sipas lajmeve nga Policia e Shtetit, janë asgjësuar ara me canabis në: Shkodër, Krujë, Bulqizë, Tropojë, Tiranë, Vlorë, Mallakastër, Përmet e Tepelenë. A ka shqiptar që nuk e di sot që Shqipëria nga Jugu në Veri, nga Perëndimi në Lindje, është e gjitha e mbjellë me drogë. Ska shqiptar që nuk e di se droga mbillet nga bandat e krimit të lidhura me Policinë e Shtetit. Ska shqiptar që nuk e kupton se pse, sa herë ka asgjësim të parcelave të drogës nga policia, kur ato janë të vogla dhe ju përkasin fshatarëve, autorët kapen, ndërsa kur ato janë disa hektarëshe dhe me mijëra rrënjë, edhe kur detyrohet policia të shkojë atje, autorët janë gjithnjë në drejtim të paditur.
Vullneti i Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, dhe përgjegjshmëria e tyre për të luftuar krimin janë pothuajse zero në rastin më të mirë dhe në rastin më të keq, ata janë pjesë e krimit. Nuk mund të edukohet ky vend me bindjen për të mos shkelur ligjin, kur: Bankierët vriten në mes të Tiranës, në mes të ditës dhe autorët ikin në drejtim të paditur; Bankat vidhen në mes të qyteteve, në mes të ditës dhe autorët në drejtim të paditur; Bankat vidhen në mes të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, në mes të ditës, pikërisht kur MB kishte deklaruar shtimin e masave të sigurisë dhe autorët përsëri në drejtim të paditur;
Njerëzit vriten si pulat, në mes të Durrësit, në mes të Elbasanit dhe autorët përsëri në drejtim të paditur. Po ç’na duhet ne të ashpërsojmë masat e dënimit, kur krimi nuk parandalohet, por nxitet, kur autorët e krimit nuk kapen, por janë bashkëpunëtorë të ngushtë të policisë? Është e pamundur të kemi rezultat në luftën kundër kriminalitetit, vetëm duke ashpërsuar masën e dënimit, ndërkohë që ligjin e zbatojnë në mënyrë selektive. Nuk rritet ndjeshmëria ndaj ligjit, duke rrahur policia babë e bir për një gjobë të papaguar dhe të shkarkohen 7 policë se guxuan të gërricen me kunatin e ministrit të Brendshëm. Nuk është shembull i mirë i vullnetit, pra ligjit, kur njerëzit e shtetit rriten ndaj një plake që shet qepë, apo ndaj një gruaje që shet kokoshka, ose kur njerëzit çohen drejt vetvrasjes në burg për 3,000 lekë të papaguara të energjisë. Ndërkohë, që banda në pushtet vjedh dhe grabit çdo ditë pasurinë kombëtare. Zgjidhja që kemi sot është vetëm një: të largojmë bandën nga qafa e shqiptarëve dhe të ndërtojmë një qeveri me vullnet dhe përgjegjshmëri për zhvillimin ekonomik të vendit dhe për rivendosjen e rendit dhe të sigurisë.