Ballina Politikë Berisha paralajmëron Ramën: Do përfundosh aty ku është miku yt Ponta!

Berisha paralajmëron Ramën: Do përfundosh aty ku është miku yt Ponta!

Një javë pas miratimit të Refomës në Drejtësi, ish kryeministri Berisha paralajmëroi dje Ramën se do të ketë të njëjtin fund ashtu si edhe Viktor Ponta, pavarësish përpjekjeve të tij për të korruptuar prokurorë e gjyqtarë për të garantuar mbrojtjen e tij. Berisha solli pikërisht në vëmendje Viktor Pontën, mik i ngushtë i Ramës, ish kryeministër i Rumanisë, i cili pas miratimit të Reformës në Drejtësi dhe ngritjes së Byrosë së Hetimit u arrestua, pas faktimit të provave për përfshirjen e drejtpërdrejtë të tij në afera korruptive.
Berisha replikoi disa herë dje me Ramën ndërsa ky i fundit në panik po përpiqej që të tregonte se ishte gati për Reformën në Drejtësi por zëri dhe nervoziteti tradhëtonin përpjekjet e Ramës për tu dukur i qetë ndërsa deklaronte reformimin e sistemit me gjykatës dhe prokurorë.
Berisha në përgjigje të replikës me Ramën denoncoi përpjekjet e Ramës për të korruptuar prokurorët e gjyqtarët duke u premtuar poste pranë strukturës së SPAK (Struktura e Posaçme Antikorrupsion dhe Kundër Krimit të Organizuar që pritet të ngrihet) ndërsa i deklaroi atij se do të ketë të njëjtin fund si Viktor Ponta.
“Së pari, i bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të nisë menjëherë hetimet, se Old Mayer, pasi humbi të gjitha ligjet tani ka filluar të thërrasë prokurorët në zyrë e t’u thotë atyre se do të të emëroj kryetar të SPAK-ut. Mos harro se Ponta me ligje i emëroi dhe përfundoi atje ku do të përfundosh edhe ti shumë shpejt” u shpreh Berisha.
“Pas prokurorëve dhe gjykatësve e ka llumi i politikës, përgatitu mirë se po të garantoj se do të përfundosh aty ku është miku yt Ponta sepse ai ka një të njëqindtën e krimeve dhe lidhjeve të tua kriminale. Ndaj dhe je i pashpresë” tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha reagoi edhe për shpalljen e ditës së djeshme si ditë pushimi, ndërsa e cilësoi të papranueshëm faktin se ky vendim erdhi pas një feste familjare të Ramës.
“Së dyti, falënderoj kryesinë e Parlamentit që sot e bëri ditë pune. Me vendimin tënd për të shpallur ditë pushimi një ditë si kjo, të cilën të gjitha mediat e lidhin me një ngjarje tënden dhe unë i uroj edhe 100 vjeç djalit dhe shëndet, por ky është një akt fyes për të gjithë shqiptarët. Ti nuk mund të bësh akte të tilla. Se pastaj duhet të presim ditëlindjen tënde të bësh pushim, ditëlindjen e doktoreshës (Anetës) pushim, ditëlindjen e Lindës pushim dhe këto janë çmendurira” tha Berisha.

Exit mobile version