Kosovë, plani për zgjidhjen e demarkacionit me Malin e Zi

Demarkacioni me Malin e Zi, një nga çështjet më problematike gjatë muajve të fundit, ka gjasa që shumë shpejt të marrë një rrjedhë krejt tjetër. Media nga burime të saja të përfshira në këtë proces ka marrë vesh se, është duke u diskutuar një “plan special” se si të zgjidhet përfundimisht ky proces. Sipas burimeve, ideja është që të krijohen dy komisione të reja, që do të merren me këtë çështje. Komisioni i parë do të jetë me përbërje politike, ku mund të përfshihet edhe opozita, ku detyra e tij kryesore është që të bisedohet me Malin e Zi, në mënyrë që kjo çështje të rishikohet, për faktin se Kosova e ka nënshkruar një marrëveshje me shtetin malazez. “Pa një marrëveshje politike me Malin e Zi për rinegocim, nuk mund të ndryshohet kjo marrëveshje, për faktin se shteti fqinjë e ka ratifikuar në Kuvend këtë marrëveshje”, tha ky burim. Gjithnjë, sipas këtij burimi të Blic, i cili e ka zbuluar në pika të shkurtra idenë e këtij plani, komisioni i dytë në përbërje do të ketë vetëm ekspertë. “Detyrë e komisionit të ekspertëve është që të punojnë në terren, dhe të gjenden shkeljet eventuale në këtë proces”, tha ky burim. Kjo ide ka gjetur mbështetje të madhe edhe tek ndërkombëtarët, mirëpo deri më tani nuk ka ndonjë marrëveshje konkrete. “Ka gjasa që shumë shpejt të ketë një pajtueshmëri, gjegjësisht një marrëveshje që demarkacioni me Malin e Zi të zgjidhet në këtë mënyrë”, tha ky burim. Në anën tjetër, ka vazhduar edhe gjatë ditës së sotme përplasja ndërmjet pozitës e opozitës për çështjen e demarkacionit. Ishte fillimisht ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ai i cili e akuzoi rëndë kryeministrin e vendit, Isa Mustafa, duke e pyetur se “me kë dreqin është ai”. Menjëherë pas kësaj deklarate të Krasniqit, ka reaguar kryeministri, duke e akuzuar Krasniqin se ai si kryetar i Kuvendit i ka nënshkruar ligjet, që sot janë përcaktuese për demarkimin e kufirit me Malin e Zi. Në anën tjetër, në një deklaratë të dhënë, njëri prej kundërshtuesve më të mëdhenj të demarkacionit, profesori i Gjeografisë dhe njëherësh deputeti i LDK-së, Shpëtim Bulliqi, ka thënë se ai ka fakte të mjaftueshme që është bërë gabime në procesin e demarkacionit. Ai vazhdon të ofroj argumente se Kosova i ka humbur mbi 8 mijë hektarë tokë, duke i sfiduar dy qeveritë, atë të Kosovës dhe të Malit të Zi, që t’i sfidoj me fakte se ky proces është shoqëruar me gabime të shumta. Për muaj të tërë, opozita përpos në Kuvend që kishte kundërshtuar miratimin e kësaj marrëveshjeje, madje duke përdorur edhe gaz lotsjellës, kishte organizuar edhe disa protesta masive kundër këtij procesi dhe kundër Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave Serbe. Në anën tjetër, Presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe Kryeministri Isa Mustafa vazhdojnë të këmbëngulin publikisht se duhet të ratifikohet me çdo kusht marrëveshja për demarkacionin. Madje, gjatë ditës së djeshme Mustafa tha se demarkacioni është kusht jo vetëm për liberalizimin e vizave, por edhe për formimin e Ushtrisë së Kosovës.