Edgar Cani qëndron te Pisa

E ardhmja e Edgar Canit do të vazhdojë të jetë te Pisa. Shuhen në këtë mënyrë dyshimet mbi të ardhmen e sulmuesit 26-vjeçar që në të kaluarën ka qenë pjesë e kombëtares shqiptare të futbollit. Klubi italian që këtë sezon do të luajë në Serinë B, ka depozituar kontratën e Canit në Ligën e Futbollit, duke konfirmuar në këtë mënyrë qëndrimin e tij në Toskanë.
Sezonin e kaluar Cani ishte vendimtar për fatet e zikaltërve duke dhënë kontributin e tij në ngjitjen e klubit në kategori me shënimin e 6 golave dhe në kontratën e tij ekzistonte opsioni i rinovimit për një vit, por gjithçka kishte mbetur pezull në varësi të së ardhmes të trajnerit të skuadrës, Genaro Gatusso. Me konfirmimin e ish-milanistit në stol, erdhi dhe ai i Canit duke qenë se ishte pikërisht Gatusso njeriu që kërkonte qëndrimin e tij në skuadër. Me arritjen e marrëveshjes me klubin toskan Cani siguron prezencën e tij në sezonin e ardhshëm në një vitrinë më të rëndësishme si Seria B, ku me një rol prej protagonisti mund të tentojë në aspektin personal edhe rikthimin në kombëtaren kuqezi.