NATO: Jemi gati për një përballje afatgjatë me Rusinë

Udhëheqësit e NATO-s po përgatiten për një përballje afatgjatë me Rusinë, duke urdhëruar dislokime trupash, përfshirë 1.000 amerikanë në Poloni dhe në shtetet baltike për të ndihmuar në mbrojtjen e këtyre vendeve.
Synimi i tyre është ta detyrojnë Moskën të rishikojë planet që ajo mund të ketë për ndonjë ndërhyrje ushtarake.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha në takimin e nivelit të lartë të Aleancës në Varshavë se, Presidenti Barack Obama dhe udhëheqësit e 27 aleatëve të tjerë të NATO-s kanë bërë të ditur masat fillestare për ndërtimin e një sistemi raketash balistike në gjendje operative.
Ata përmendën gjithashtu hapësirën kibernetike si fushë operative për aktivitetet e NATO-s, me angazhimin për të rritur gatishmërinë civile. Udhëheqësit përsëritën zotimin për të shpenzuar një minimum prej 2 për qind të të ardhurave kombëtare për mbrojtjen.
Zoti Stoltenberg tha të premten, në ditën e parë të Samitit dyditor, se NATO-ja ka marrë vendime për masa frenuese dhe mbrojtëse që u përshtaten sfidave të shekullit të 21-të.
Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda paralajmëroi në Samit se vlerat demokratike perëndimore po minohen nga një mungesë e respektimit të së drejtës ndërkombëtare, si dhe nga lufta hibride dhe terrorizmi. Ai tha se Aleanca ka nevojë për një strategji koherente për të përballuar problemet.
Presidenti Duda, mikpritës i Samitit të NATO-s në Varshavë, tha se që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë, bota perëndimore ka bërë një rrugë të gjatë për sigurimin e paqes dhe stabilitetit në komunitetin transatlantik në sajë të ndjekjes së rrugës së demokracisë.
Duke iu referuar mesa duket agresivitetit të ripërtërirë të Rusisë, ai tha: “Sot këto vlera janë përsëri duke u minuar nga kërcënimet dhe sfidat, disa prej të cilave Evropa nuk i kishte njohur për dekada të tëra”.
Një zyrtar i lartë i NATO-s thotë se, disa aleatë mund të rrisin numrin e trupave që kanë në Afganistan, duke garantuar një total të aftë për të vazhduar të gjitha misionet aktuale.
Vendet e NATO-s pritet të njoftojnë se cili do të jetë kontributi i tyre me trupa, pas njoftimit të SHBA se do të reduktojnë forcat nga rreth 9,800 në 8400 deri në fund të vitit. Ky vendim anulon planet e mëparshme amerikane për ta shkurtuar nivelin e trupave në 5.500.
Zyrtari tha se numri i përgjithshëm i forcave aleate në Afganistan do të mbetet i afërt me nivelin aktual prej gati 13.000 trupash. Ky numër do të lejojë aleatët për të mbajtur trupat e pozicionuara në katër qendra rajonale në të gjithë vendin, si dhe në selinë e tyre në Kabul, kryeqyteti i vendit.

Masa ushtarake dhe politike

Gjatë takimit të nivelit të lartë në Poloni, vendet e NATO-s ranë dakord të ruajnë praninë ushtarake në Afganistan. Të inkurajuar gjithashtu nga njoftimi i Presidentit Obama për dërgim trupash në Poloni, vendet anëtare vendosën edhe për dërgimin e trupave shtesë në Balltik, për të parandaluar një agresion të mundshëm të Rusisë.
Pas njoftimit të Presidentit Obama për uljen e ritmit të tërheqjes së trupave amerikane nga Afganistani, edhe vendet anëtare të NATO-s ranë dakord të ruajnë praninë e tyre ushtarake dhe mbështetjen për Afganistanin.
“Nuk ka pse të spekulojmë se sa do të vazhdojnë operacionit ushtarake në Afganistan. Ne jemi të gatshëm të qëndrojmë atje përtej vitit 2016 dhe do ta rivlerësojmë situatën sërish vitin e ardhshëm. Kemi vendosur gjithashtu të mbështesim deri në vitin 2020, me një kosto prej afro 5 miliardë dollarë në vit, ushtrinë dhe policinë afgane”, njoftoi në një konferencë për shtyp sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg.
Të nxitur nga vendimi i SHBA-së për të dislokuar 1 mijë trupa në Poloni, vendet e NATO-s vendosën dërgimin e njësive ushtarake shtesë në Estoni, Letoni dhe Lituani, me synim parandalimin e një agresioni rus. Udhëheqësit e këtyre vendeve kanë bërë thirrje të vazhdueshme për mbështetje ushtarake, ndërkohë që përvoja e Ukrainës luajti një rol kryesor në këtë vendim të NATO-s.
“Nuk shohim ndonjë kërcënim të pashmangshëm ndaj një vendi anëtar të NATO-s. Me Rusinë nuk jemi më në një marrëdhënie partneriteti strategjik që u munduam ta ndërtojmë pas Luftës së Ftohtë, por as nuk gjendemi në kushtet e Luftës së Ftohtë. Është një situatë e re e papërjetuar më parë”, tha zoti Stoltenberg.
Ndërsa NATO konfirmoi unitetin dhe vendosmërinë e saj, pjesa më e madhe e vëmendjes së Presidentit Obama gjatë punimeve të Samitit u përqendrua tek Ukraina, ku Rusia nuk po jep shenja për përfundimin e ndërhyrjes së saj ushtarake të filluar mbi dy vjet më parë.